NGA ËNDRRA e Florijetës PËR MODERATORE TEK MAJAT E KOMPANISË SË NJOHUR TË TELEKOMIT.

SHQIPTARJA FLORIJETA MULOLLI, KËSHILLTARE E PRESIDENTIT TË ERICSSON


Profili i vajzës nga Podujeva që ndikon në vendimmarjen e gjigandit suedez

Kur Brahim Mulolli dhe bashkëshortja e tij Hava, u larguan nga Shajkovci i Podujevës në vitet 90 së bashku me vajzën e tyre të mitur, Florijetën, nuk kishin si ta dinin se vajza e tyre do të ngjitej një ditë në majat e suksesit menaxherial në një nga kompanitë më serioze në botë të telekomit, Ericsson.

Në fakt, Florijeta Mulolli , është realisht personazhi më i njohur për të cilën flitet më së shumti mes shqiptarëve në kyeqytetin suedez.

Herën e fundit ajo doli publikisht në një aktivitet të shoqatës Jehona me rastin e ditës ndërkombëtare të grave, ndërsa vitin e kaluar u prezantua në një takim të ambasadës së Kosovës me biznesin.

Me kaq pak të dhëna për Florijetën, caktova një takim me të dhe bashkë me mjeshtren e fotografisë Keti Sala , udhëtuam në Veri të qytetit për në selinë qendrore të Ericsson, ku Florijeta prej 4 vitesh punon si këshlltare kryesore e Presidentit të kompanisë me 100 mijë punonjës të shpërndarë në 180 vende të botës.

Florijeta është një vajzë e thjeshtë, e qeshur dhe me plot energji. Kështu që edhe Keti nuk e pati të vështirë të fiksojë me aparatin e vet momentet e para të bisedës.

Zonjusha Mulolli tregon fillimisht për kujtimet e para të saj me Kosovën kur në moshën 6-7 vjeçe shkoi dhe takoi gjyshin e saj, Bajram Mulolli, i cili u vra pikërisht në ditën e clirimit të Kosovës. ”Nuk e harroj kurrë portretin e gjyshit kur e takova për herë të parë. Edhe pse fëmijë, e kuptova se ndodhesha aty ku më takon, në shtëpinë time dhe e rrethuar nga dashuria e njerëzve të mi”, kujton ajo me nostalgji. Lufta ishte jo vetëm tragjike por edhe një moment i vështirë për familjen e Brahim Mulollit, pasi mungesa e komunikimit e bënte edhe më të madh ankthin dhe frikën e së panjohures që mund të ndodhte. Florijeta thotë se rrinte me orë të tëra duke formuar numrin e familjes në Kosovë në një aparat telefonik në shtëpinë e tyre këtu në Suedi dhe rastësisht apo jo,

Florijeta zgjodhi të studionte për inxhinieri, një degë që pas shkollës e lidhi direkt me një nga gjigandët e telekomit. ”Ka qenë një shoqe suedeze që më këshilloi të shkoja në këtë degë, pasi unë isha më e mirë në shkencat ekzakte”, shpjegon Florijeta arsyen përse u diplomua si inxhiniere. Edhe pse ëndrra e saj e fëmijërisë ishte që të bëhej moderatore e programeve televizive, vajza e Podujevës e pa veten që në vitet e shkollës në mjediset e Ericsson.

Fillimisht me punësim sezonal veror dhe më pas me një program për talentet e reja, ku e përzgjedhur mes 35 personave nga e gjithë bota ka marrë pjesë në udhëheqjen e një projekti në Singapor.

Karriera vazhdon më pas me zhvendosjen në selinë qendrore në Kista, Stockholm, në grupin e drejtuesve teknikë të projekteve dhe më pas në Gjermani për të ndihmuar me vendosjen e
rrjetit 5G.

Ky angazhim bëri që ajo të fitonte në një konkurs të talenteve të reja ”Young Advisory Bord”, ku mes 1000 konkurentëve fitoi një nga 7 pozicionet për të formuar këtë bord, ku vazhdon edhe sot si këshilltare e Presidentit të kompanisë Ericsson.

Kur e pyes se çfarë angazhimesh ka në këtë rol, Florijeta mendohet pak dhe telegrafisht shprehet : ”Ndihmoj Presidentin që të drejtojë biznesin e tij, organizoj prezantime projektesh dhe mbedhje të bordit, zgjidh çështje të ndryshme të menaxhimit, caktoj dhe shpërndaj detyrat për sektorë të ndryshëm, jap orientime menaxheriale, hartoj strategji të drejtimit të kompanisë, udhëheq apo filtroj projekte ndërkombëtare që kanë lidhje me perspektivat e zhvillimit të biznesit tonë në rajone të ndryshme të botës dhe ndihmoj aty ku ka nevojë për ekspertizën time.

Me një fjalë, gjithçka që ka lidhje me kompaninë në çdo cep të globit 😊”. Ky është një aktivitet i lodshëm, i përditshëm, orar pa orar, por që Florijeta thotë se ndihet e vlerësuar dhe për më tepër asaj i jep kënaqësi. ”Shefi im thotë se suksesi im qëndron në metodën analitike të shqyrtimit të fakteve. Unë besoj se studimi i kujdesshëm i numrave, të nxjerr gjithmonë në një përfundim të saktë”, thotë Florijeta.

Ajo pohon se udhëtimet e shpeshta bëjnë të mundur që të krijohen ura të reja bashkëpunimi mes kulturave, të cilat ndihmojnë edhe në suksesin e biznesit dhe thekson se realisht janë vitet më të bukura të jetës së saj.
Por një jetë e tillë kaq e ngjeshur e ka shkëputur disi atë nga prindërit që jetojnë në Arvika, Värmland. Zonjusha Mulolli shkon sistematikisht në qytetin ku u rrit ndërsa familjarët e vet atje vijnë shpesh edhe në Stockholm ku Florijeta jeton bashkë me njërin vëlla dhe motrën.

Ndërsa familja është gjëja më e shtrenjtë për të, Florijeta nuk i shkëput lidhjet as me Kosovën dhe Shqipërinë, ku ajo udhëton së paku çdo verë.

Udhëtimet e përvitshme në Atdhe qysh kur ishte e vogël, por sidomos fakti se në familjen e saj gjithnjë është folur e kënduar shqip dhe gjithashtu malli për Kosovën dhe Shqipërinë, kanë ndikuar në atë që Florijeta të ruajë një shqipe të bukur. “Babai është marrë me shoqata dhe organizime kulturore dhe unë gjithnjë këndoja këngë të vjetra shqip, të cilat edhe sot i këndoj me shumë kënaqësi”, thotë Florijeta dhe tregon disa prej këngëve që asaj i pëlqejnë më shumë.

Të kalosh nga një temë në tjetrën me Florijetën, këshilltaren e Presidentit të Ericsson nuk është aspak e vështirë dhe ashtu sikurse biseda edhe koha ikën pa e kuptuar.

Mesazhi i saj për të rinjtë dhe sidomos femrat është ky :”Kurrë mos u ndalni që të ndiqni ëndrrat tuaja. Kërkoni dhe gjeni dikë që iu frymëzon, dikë që ju keni dëshirë t’i ngjani. Kontaktojeni atë pa hezitim. Shfrytëzoni çdo mundësi për të marrë informacionin e nevojshëm dhe kurrë mos thoni se “kjo nuk është për mua, unë nuk e arrij dot”. Tako një mentor tëndin dhe krijoni së bashku mundësitë për të arritur qëllimet që keni. Nëse nuk guxoni nuk do të arrini atë që dëshironi”. Tek thotë këto fjalë, Florijeta duket sikur përlotet pak kur i kujtohet mami saj, Hava. “Mami ka qenë një frymëzim i përhershëm dhe mbështetje për ne fëmijët, sidomos ne vajzave, për të vazhduar shkollën e lartë dhe karrierën profesionale.

Ajo nuk ka pasur mundësi të vazhdojë studimet si për shkak të pamundësive ekonomike por edhe për atë që shkolla konsiderohej më shumë për djemtë. Ndaj mami e ka zemrën plot sot kur ëndrrën e vet për t’u shkolluar e sheh të realizuar tek të gjithë fëmijët e saj, e sidomos vajzat”.
Kurse për qeveritë tona në Tiranë dhe Prishtinë ajo këshillon që ashtu sikurse Kina psh që rikthen në vendin e vet të rinjtë e shkolluar duke i motivuar, ashtu duhet të bëjmë edhe ne me mërgatën.

Kur e pyes në fund se cila është tashmë ëndrra jote ajo shprehet : “Sot ëndërroj të bëhem një grua që drejton një kompani të rëndësishme suedeze, të ushtroj influencë në kompanitë e ndryshme ekonomike dhe ato të biznesit”.
Ndahem me Florijetën me këtë dëshirë të saj, ndërkohë që vajza dhe gra shqiptare të suksesshme në menaxhim dhe në fusha të tjera ka plot në Suedi dhe kjo është një arsye që ne si shqiptarë të ndihemi krenarë për këtë përfaqësim dinjitoz të kombit tonë.

Stockholm, 10 prill 2024
Bisedoi: Arben Vata
Fotografia: Keti Sala

Publikuar nga Publik Media