Nga IMT te biznesmenët, prokuroria Sarandë lëshon 12 masa arresti
Një hetim i thelluar i Prokurorisë së Sarandës ka çuar në lëshimin e 12 masave të sigurisë ndaj një grupi personash, ku përfshihen punonjës policie, oficerë, inspektorë dhe biznesmenë, të dyshuar për shkelje ligjore që lidhen me ndërtime dhe shpërdorim detyre në këtë zonë bregdetare.
Burime bëjnë me dije se mes personave ndaj të cilëve është vendosur masë sigurie ndodhet edhe kryeinspektori i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit në Sarandë, Eduart Veliu. Në listë përfshihet gjithashtu biznesmeni Alqi Papa, i lidhur me objektin “Oaz”, si dhe oficeri i policisë Irakli Kociu.
Në kuadër të këtij operacioni është arrestuar edhe Kristofor Shkrepa, specialist i policisë në Ksamil, ndërsa ndaj Kastriot Satkës është vendosur masa “arrest në burg”.
Hetimet përfshijnë edhe biznesmenët Arjola Dhrami dhe Xhaferr Bajo, të lidhur me një objekt ndërtimi për të cilin më herët u arrestuan katër oficerë të Policisë së Shtetit, përfshirë edhe ish-shefin e policisë së Sarandës.
Në listën e personave nën hetim është edhe ndërtuesi Merdar Koshi, i dyshuar se ka ndërtuar dy kate pa leje në qendër të qytetit.
Kjo çështje lidhet drejtpërdrejt me një seri arrestimesh të mëparshme të zyrtarëve të policisë në Sarandë, duke nxjerrë në pah një skemë të dyshuar abuzimi me detyrën dhe shkelje të ligjit në sektorin e ndërtimit.
Sipas njoftimit zyrtar të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, janë ekzekutuar vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, në kuadër të operacionit të zhvilluar më 15 maj 2026.
Në zbatim të vendimit gjyqësor janë ushtruar kontrolle në banesat e tre punonjësve të policisë, të cilët janë zyrtarisht nën hetim për veprën penale “Shpërdorim detyre”, të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.
Në këtë procedim penal janë ekzekutuar edhe masat konkrete të sigurisë:
– “Arrest në shtëpi” për Blerim Tafçiun, i dyshuar për shpërdorim detyre të kryer më shumë se një herë.
– “Arrest me burg” për Kristofor Shkrepën, i dyshuar për të njëjtën vepër penale.
– “Arrest me burg” për Kastriot Sotkën, gjithashtu i dyshuar për shpërdorim detyre në mënyrë të përsëritur.
Autoritetet vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht këtë çështje dhe për të identifikuar persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet të dyshuar të paligjshëm.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



