E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Nga ish-zv/kryeministri te zëdhënësja e Berishës, të larguarit dhe rikthimet në PD
Politikë

Nga ish-zv/kryeministri te zëdhënësja e Berishës, të larguarit dhe rikthimet në PD

Lista e dorëheqjeve përbëhej më së shumti nga ata që cilësohen si kritikë të Lulzim Bashës brenda partisë, të cilët, pavarësisht përplasjeve, kreu i PD-së i propozoi si kandidatë për Këshillin e ri Kombëtar.

Dorëheqje nga gara dhanë: Edit Harxhi, Edvin Kulluri, Arben Skënderi, Fabian Topollaj dhe Valbona Mezini.

Përmes postimeve të tyre në “Facebook”, ish-anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD-së e cilësuan si farsë procesin që po zhvillohej në Pallatin e Kongreseve dhe kujtuan se PD duhet të ishte në protestë në mbështetje të studentëve. Nga gara u tërhoq edhe zëdhënësja e ish-Kryeministrit Berisha, Erla Mëhilli.

Duke e mbështetur vendimin e saj mbi arsye personale, Mëhilli iu uroi suksese kandidatëve të tjerë në garë. Ish-deputetja e Tropojës, Mimoza Hajdarmataj, deklaroi vendimin për të mos kandiduar në Këshillin Kombëtar pak përpara punimeve të Kuvendit, pasi siç e sqaroi publikisht angazhimi i ri në shoqërinë civile, nuk e lejon të mbajë poste të larta politike.

Dorëheqja e fundit në listën e 352 kandidatëve për anëtarë të Këshillit Kombëtar të PD-së ishte ajo e ish-ministres së Shëndetësisë, Anila Godo. Vajza e themeluesit të Partisë Republikane, Sabri Godo, e cilësoi vlerësim prezencën e saj në listën e kandidatëve, por theksoi se për shkak të angazhimeve profesionale, e kishte të pamundur të angazhohej politikisht.

Gjithashtu, në listën e kandidatëve për Këshillin Kombëtar të PD nuk bënin pjesë emrat e ish-deputetëve Astrit Patozi, Ridvan Bode, Genc Ruli, Arben Imami dhe Majlinda Bregu, duke shënuar kështu largimin përfundimtar të tyre nga forumet e larta të Partisë Demokratike. Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli dhe ish-kreu i PD, Eduard Selami, janë të vetmit ish-funksionarë të lartë të PDsë që ka të drejtë të përhershme të marrin pjesë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për shkak të detyrave të larta që kanë mbajtur.

RIKTHIMET

Ndërkohë që kritikët e kreut të aktual Lulzim Basha u larguan apo zgjodhën të vetëlargohen, në parti u rikthyen kritikë të ish-Kryeministrit Sali Berisha. Thirrjes së Lulzim Bashës për rikthimin e kontributeve iu përgjigjën dy prej ish-funksionarëve demokratë, që u larguan nga PD kur në krye të saj ishte Sali Berisha.

Me propozim të kreut të PD-së, Lulzim Basha, në listën e kandidatëve për në Këshillin Kombëtar, ishin Aleksandër Biberaj dhe Gazmend Oketa. Dy ish-funksionarët e lartë të Frymës së Re Demokratike, të drejtuar nga Bamir Topi, prej disa vitesh ishin tërhequr nga aktiviteti politik, duke iu përkushtuar profesioneve të tyre. Rikthimi në PD për të dy ka ardhur me ftesë të Lulzim Bashës. Për ishthemeluesin e PD-së, Biberaj vendimi për rikthimin në PD nuk ka qenë i vështirë.

Ai e ka krahasuar afrimin me PD në këtë moment që po kalon vendi, të njëjtë me atë të legjionarëve në sport që rikthehen për të ndihmuar ekipin.

“Nuk jam menduar për t’u rikthyer. Duke qenë themelues i kësaj partie dhe duke pasur një aktivitet shumëvjeçar, mendoj që kjo është shtëpia ime politike. I bashkëngjitëm për të dhënë kontributin tim modest për të ndryshuar Shqipërinë. Mendoj që në përgjithësi themeluesit e partive janë si legjionarët, kur vendi ka nevojë për ta, ata kthehen në aktivitetin politik”, tha Biberaj.

Ish-studentit të dhjetorit ’90, Gazmend Oketa, nervin për t’iu rikthyer politikës ia kanë ngacmuar protestat e ditëve të fundit të studentëve. Sipas ish-zv/kryeministrit Oketa, në gjendjen në të cilën ndodhet vendi, ka besuar se mënyra për të dhënë një kontribut real është duke u rikthyer në politikën aktive.

“Motivet që më bënë të rishikoj, do të përpiqem t’i përmbledh shkurt. Së pari ishin zhvillimet politike në vend. Lëvizja e studentëve dhe protesta më ktheu besimin se mund të ndryshojë situata, protesta e banorëve të ‘Astirit’ si dhe ajo e Teatrit Kombëtar. Unë besoj se mjafton të përmendim rastin e fundit të Unazës së Re, që nga buxheti do të avullonin 30 milionë euro. Sigurisht që miqtë e mi më të mirë janë tek e djathta. Këtë periudhën e fundit, takimet me ta u shtuan. Nuk është se jam joshur apo kam pasur ndonjë marrëveshje me ndonjë nga kolegët e mi. Në kostumin e politikanit që unë kam mbajtur, e kisha të pamundur, për shembull, t’i bashkohesha protestës dinjitoze të studentëve. Në rast se nuk do ta kisha pasur këtë kostum politikani, do të më shihnit çdo ditë në krah të studentëve. Në pozitat e mia gjykova se mundësia e vetme për të kontribuar është riangazhimi në politikë. Është një vendim për t’iu gjendur me aq sa mundësi kam dhe për të dhënë kontributin tim për gjendjen që është në Shqipëri jo vetëm për opozitën, por edhe për gjithë Shqipërinë”, deklaroi Oketa.

Transmetimi

Transparencën, për të cilën foli kreu i PD-së, Lulzim Basha gjatë fjalës në Kuvendin Kombëtar, demokratët e reflektuan që në përfundim të procesit të votimit. Në selinë qendrore të PD-së, procesi i numërimit të votave për anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar të PD u transmetua live deri në përfundim të tij. Të 13 grupet e numërimit të mandatura nga Kryesia e PD kanë numëruar votat e 4500 delegatëve, të cilët zgjodhën në listën me 352 kandidatë anëtarët e rinj të Këshillit Kombëtar. Pas zgjedhjes së anëtarëve të Këshillit Kombëtar do të zgjidhet edhe lidershipi i ri që do të jetë në krah të Lulzim Bashës për zgjedhjet e ardhshme.

Imami: Basha vulosi përçarjen e PD-së, s’ka asnjë shans për bashkim

Themeluesi i PD, Arben Imami, deklaron se nëse do të ishte në listën e kandidatëve për në Këshillin Kombëtar, do të kishte dhënë dorëheqjen si kolegët e tij. Sipas Imamit, thirrjet e Bashës për bashkim nuk kanë asnjë vlerë, pasi ai e ka rrënuar partinë. “Po të isha në listën e Këshillit Kombëtar, do të kisha bërë të njëjtën gjë që bënë disa kolegë të tjerë. Por kjo është një gjë që duhet ta zgjidhja unë. Basha e hoqi emrin tim nga lista e Këshillit Kombëtar, megjithëse Këshilli Kombëtar i vjetër do të votohej i gjithi së bashku. Pasi ka bërë të gjitha këto, thotë hajde bashkohemi. Për çfarë të bashkohemi? Nuk më bashkon asgjë me zotin Basha, është përfitues i punës, djersës dhe gjakut të PD-së. E rrënoi atë parti. Me të personalisht nuk kam asnjë pikë kontakti”, tha Imami në një intervistë për “Ora News”. Ish-ministri i PD-së thekson se me mbledhjen e Kuvendit të PD-së dhe zgjedhjen e Këshillit të ri Kombëtar, është vulosur përçarja e PD-së. “Ishte e qartë se do shkonte në këtë mënyrë, nuk kishte asnjë surprizë. Me këtë po vulos përçarjen e PD-së që e shkaktoi ai. Bashkimi dhe harmonia mund të krijohen vetëm mbi bazën e rregullit të mirëpranuar.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.