Nga thika te plumbat, zbardhen prapaskenat e plagosjes në Pogradec
Vëllai i tij e masakroi me thikë në berberhanën ku po qethej, ai sot mori hak
Një plagosje me armë zjarri ka tronditur mesditën e sotme qytetin e Pogradecit, ku një konflikt i vjetër mes të rinjve ka degraduar në të shtëna nga automjetet në lëvizje.
Sipas të dhënave paraprake, autori i dyshuar i ngjarjes është 24-vjeçari Nikolla Agolli, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri nga një makinë në ecje, në drejtim të shtetasit Brian Syzo, rreth 35 vjeç. Edhe ky i fundit ndodhej në lëvizje me një automjet tip fuoristradë në momentin e sulmit.
Si pasojë e të shtënave, Syzo ka mbetur i plagosur në gjymtyrët e poshtme dhe është transportuar menjëherë në Spitalin e Pogradecit, ku po merr ndihmë mjekësore. Burime spitalore bëjnë me dije se ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Dyshimet e para të grupit hetimor lidhen me një konflikt të hershëm mes palëve, i cili daton më shumë se një vit më parë. Sipas hetimeve, vëllai i të plagosurit, shtetasi Sindi Syzo, kishte sulmuar më herët me thikë Nikolla Agollin, duke e plagosur rëndë në një berberhane.
Ngjarja e ndodhur në vitin 2025 dyshohet se ka qenë shkaku kryesor i përplasjes së sotme, e cila sipas hetuesve mban elementë të qartë hakmarrjeje.
Pas ngjarjes së sotme, Policia e Pogradecit ka reaguar menjëherë dhe, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Përrenjasit, ka bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar brenda rreth një ore nga momenti i të shtënave.
“Rreth orës 13:15, në lagjen nr. 3, dyshohet se gjatë një konflikti, shtetasi Nikolla Agolli, 24 vjeç, banues në Buçimas, Pogradec, ka plagosur me armë zjarri, në këmbë, shtetasin Brian Syzo, rreth 35 vjeç, i cili po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën. Shërbimet e Policisë kapën dhe po shoqërojnë autorin e dyshuar për veprime të mëtejshme procedurale”, njofton zyrtarisht policia.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin ligjor të saj, ndërsa autoritetet po verifikojnë të gjitha pistat që lidhen me konfliktin mes palëve.
Kjo ngjarje rikthen në vëmendje rrezikun e konflikteve të pazgjidhura që përshkallëzohen në dhunë, duke vënë në rrezik jetën e qytetarëve në hapësira publike.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



