Ngacmimi seksual në Korçë, lirohet nga qelia kirurgu i akuzuar
Gjykata e Korçës ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë për mjekun Nikolla Nunka, duke e liruar nga qelia dhe duke caktuar ndaj tij masën “arrest shtëpie”, në kuadër të hetimeve për një rast të dyshuar të ngacmimit seksual.
Sipas burimeve pranë hetimit, procedimi penal ndaj mjekut nisi pas një kallëzimi të bërë vetëm pak ditë më parë nga një e re 21-vjeçare nga Korça. Ajo i është drejtuar organeve të rendit, duke denoncuar një episod që, sipas saj, përbën shkelje të rëndë të integritetit personal.
Pas depozitimit të kallëzimit, autoritetet ndërmorën veprimet e para procedurale, ndërsa çështja u referua menjëherë në gjykatë për vlerësimin e masës së sigurisë. Fillimisht ndaj Nunkës u vendos ndalimi me burg, por pas shqyrtimit të rrethanave dhe provave paraprake, gjykata vendosi ta zbusë këtë masë në arrest shtëpie.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe për të verifikuar pretendimet e palëve. Akuza për ngacmim seksual mbetet në shqyrtim dhe pritet që në vijim të dalin detaje të tjera mbi këtë rast.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



