E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Nis goditja nga SHBA-të për të korruptuarit e Shqipërisë dhe rajonit
Lajme

Nis goditja nga SHBA-të për të korruptuarit e Shqipërisë dhe rajonit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë miratuar një regjim të ri sanksionesh që parashikon bllokim pasurie dhe ndalim vizash për individë dhe subjekte që minojnë demokracinë, sundimin e ligjit dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Shqipërinë.

Masat janë pjesë e Seksionit 8335 – “Sanctions Relating to the Western Balkans”, të miratuar nga Kongresi amerikan, dhe detyrojnë Presidentin e SHBA-së të vendosë sanksione brenda 90 ditëve ndaj çdo personi të huaj të përfshirë në korrupsion, shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, manipulim procesesh demokratike apo kërcënim të paqes rajonale.

Sanksionet përfshijnë ngrirje të aseteve, revokim të menjëhershëm të vizave dhe ndalim absolut hyrjeje në SHBA. Uashingtoni thekson se masat do të koordinohen ngushtë me BE-në, Mbretërinë e Bashkuar dhe aleatët, duke dërguar një mesazh të qartë: toleranca ndaj korrupsionit dhe destabilizimit ka marrë fund.

Kush përfshihet në sanksione

Sipas dokumentit zyrtar, objekt i masave ndëshkuese do të jenë individët që:
• kërcënojnë paqen, sigurinë, stabilitetin ose integritetin territorial të vendeve të Ballkanit Perëndimor;
• minojnë proceset zgjedhore dhe institucionet demokratike;
• përfshihen në korrupsion, përfshirë korrupsionin nga ose në emër të zyrtarëve aktualë apo ish-zyrtarëve shtetërorë;
• kryejnë shkelje të rënda të të drejtave të njeriut;
• pengojnë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare të sigurisë dhe paqes.

Në mënyrë të veçantë, ligji përfshin edhe individë që cenojnë zbatimin e:
• Marrëveshjes së Prespës (2018),
• Marrëveshjes Kornizë të Ohrit (2001),
• Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së,
• Marrëveshjeve të Dejtonit,
• si dhe vendimeve të Konferencës së Këshillit për Zbatimin e Paqes (Londër, 1995).

Po ashtu, sanksionet shtrihen edhe mbi raste që lidhen me Gjykatën Ndërkombëtare Penale për ish-Jugosllavinë dhe Mekanizmin Ndërkombëtar Rezidual për Gjykatat Penale.

Bllokim pasurie dhe ndalim i plotë vizash

Masat e miratuara parashikojnë:
• bllokimin e pasurive dhe interesave financiare të personave të sanksionuar, nëse ndodhen në SHBA, hyjnë në territorin amerikan ose janë nën kontrollin e shtetasve amerikanë;
• përdorimin e plotë të kompetencave të Presidentit sipas Ligjit për Fuqitë Ekonomike të Emergjencës Ndërkombëtare.

Në aspektin e imigracionit, personat e përfshirë në listën e sanksioneve:
• shpallen të papranueshëm për hyrje në SHBA;
• nuk do të kenë të drejtë të pajisen me vizë apo dokumente hyrjeje;
• do të përjashtohen nga çdo përfitim sipas Ligjit për Imigracionin dhe Shtetësinë.

Ligji parashikon gjithashtu që të gjitha vizat ekzistuese do të revokohen menjëherë, pavarësisht nga data e lëshimit, dhe çdo dokument tjetër i vlefshëm hyrjeje do të anulohet automatikisht.

Mesazh politik i drejtpërdrejtë

Sipas vlerësimeve politike në Uashington, ky regjim i ri sanksionesh përbën një paralajmërim të fortë dhe të qartë për të gjithë aktorët që synojnë të destabilizojnë Ballkanin Perëndimor. SHBA riafirmon angazhimin e saj për demokracinë, sundimin e ligjit dhe paqen afatgjatë, në koordinim të ngushtë me Bashkimin Evropian, Mbretërinë e Bashkuar dhe aleatë të tjerë strategjikë.

Ky zhvillim shihet si një sinjal se toleranca ndaj korrupsionit dhe destabilizimit politik në rajon ka marrë fund.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.