Një fëmijë do të shesë veshkën, për ilaçet e nënës…
Një mësuese nga Rrësheni, gjatë një takimi të qeverisë në qarkun e Lezhës ja “ngeci në fyt” kryeministrit Rama përroin e fjalëve për sukseset e Rilindjes, kur denoncoi live, se në spitalin Onkologjik mungojnë prej shumë kohësh ilaçet për të sëmurët me kancer.
Por një javë më vonë Rama si mjeshtër i spektakleve populiste, e mori mësuesen për dore dhe në prani të kamerave shkoi në spitalin Onkologjik (shih videon), ku deklaroi se halli i saj dhe i të gjithë të sëmurëve të tjerë, më në fund ishte zgjidhur.
“Nuk do të mungojnë më ilaçet për këtë kategori të sëmurësh, që luftojnë me vdekjen”, deklaroi plot pompozitet.
“MIRËMËNGJES/ dhe me këto dy pjesë të historisë së mësueses mirditore që vuan nga kanceri, ku mund të shihni se si funksionon bashkëqeverisja me qytetarët, kur nuk përtojnë të ankohen për hallet e tyre konkrete në platformën e bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al apo në takimet publike të platformës, ju uroj një fundjavë të qetë”, shkruate Rama në faqen e tij në FB në 20 Janar duke postuar edhe videon kur mësuesja shfaqej “e lumtur” në krah të tij, pasi halli i madh i ishte zgjidhur si me magji.
Njësoj veproi edhe me rastin e festave të fundvitit, kur u shfaq në ekran si babagjyshi i Vitit të Ri dhe me superfuqinë e një mbinjeriu i zgjidhi problemin atij fëmijës invalid, që i kërkoi një makinë për të shkuar në shkollë. Por sa qindra të tjerë kanë të njëjtin problem? Jo vetëm që nuk shkojnë dot në shkollë, por jetojnë me një minimum pagese nga shteti që nuk përballojnë dot as mbijetesën në ushqime dhe jo më ilaçet apo terapitë jetike.
Fasadat zbukuruese që ndërton me ngulm Edi Rama me makinerinë e fuqishme të propagandës së tij, për të mbuluar realitetin nuk mbajnë asnjëherë gjatë, sepse problemet e mëdha sociale dhe veçanërisht ato në shëndetësi nuk mund të zgjidhen kurrë me “shkopin magjik”; as nëpër shoë televiziv dhe ERTV dhe as në mënyrë individuale. Prandaj sa mbyll me bojë e suva një vrimë që i del rrugës, të tjera histori të realitetit edhe më skandaloze, i shpërthejnë çdo ditë.
Edhe mashtrimi që bëri së fundmi me ilaçet e Onkologjikut, nuk i zgjati as dhjetë ditë
“Do të vras veten, se nuk kam rrugë tjetër…”, thotë për mediat plot dëshpërim Lindita 36 vjeçare nga qyteti i Beratit, që është njëkohësisht edhe invalide.
Prej muajsh ajo paraqitet në spitalin Onkologjik ku ishte pak ditë më parë vetë “Ramë magjistari” me mësuesen e Rrëshenit dhe pret më kot, që të marrë ilaçin e nevojshëm për seancat e kimioterapisë, pa të cilat nuk mund të mbijetojë.
Por asgjë nuk ndryshon aty, pavarësisht nga filmat që shfaqen në ERTV. Ashtu si për mësuesen nga Rrësheni përpara se të bëhej pjesë e spektaklit të radhës dhe aktualisht për qindra qytetarë të tjerë, ilaçet duhet të shkojnë ti blejnë te privati me “çmime gjermane”.
“Marr vetëm një asistencë, që nuk më del as për të ardhur nga Berati në Tiranë. Kam një fëmijë në shtëpi që po më kalon një traumë të madhe, që më thonë: o mami do të të shes veshkën për ty!”.
Kjo është Rilindja e Edi Ramës; E bukur dhe plot romantizëm në ERTV, horror në realitet.
As fëmija e vogël e Linditës, që sigurisht e ka parë emisionin e xhaxhi Arditit ku u shfaq babagjysh-Rama, si i vetmi që ta zgjidh hallin si me magji, (ashtu si bëri me bashkëmoshatarin e saj invalid, që u bë i famshëm dhe tani shkon në shkollë me makinë), nuk beson më në “mrekullitë” e Ramës. Prandaj ofron veshkën e vogël, për të shpëtuar nënën që pret më kot te dyert e Onkologjikut për një ilaç, që në televizionin e kryeministrit nuk mungon…
Vetëm Endri Fuga po të dojë i përzgjedh një fund të lumtur, kësaj historie të dhimbshme. Mjafton që të hedhë fillimisht në ERTV thirrjen dëshpëruese të kësaj nëne nga Berati (shih videon), pastaj ti futet punës me mjeshtrat e skenarit dhe regjisë që ka aty dhe të realizojë pjesën e dytë të filmit; ku shefi i tij shfaqet i dhembshur dhe krenar njëkohësisht, duke i siguruar ilaçet Linditës nga Berati dhe shpëtuar edhe veshkën ende të parritur, të fëmijës së saj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



