Një nga autorët e vrasjes së Renis Dobra, është Petrit Çakrri
Një emër i njohur nga e kaluara dramatike e Shqipërisë rikthehet sërish në qendër të një hetimi tronditës. Petrit Çakrri dëshmitari okular i vrasjes së Azem Hajdarit në vitin 1998 është tashmë subjekt i një dosjeje të re hetimore, të lidhur me rrëmbimin dhe ekzekutimin makabër të 23-vjeçarit Renis Dobra.
Hetuesit kanë zbuluar se Çakrri, që më vonë ka ndërruar mbiemrin në Hoxha, ka qenë përdorues i dy makinave të dhëna me qira në Rinas: një Range Rover të zi dhe një Honday të bardhë. Kamera sigurie dhe GPS-i i njërit prej automjeteve kanë ndihmuar hetuesit të rindërtojnë lëvizjet e tij, duke e vendosur në të njëjtën trajektore me atë të viktimës Dobra, vetëm pak orë para zhdukjes së tij.
Dosja është gjithnjë e më e errët: Petrit Çakrri ka qenë më parë i ndaluar për vepra të ndryshme penale, që nga vjedhjet e deri tek mashtrimet me pasoja të rënda. Në vitin 2017, ai u arrestua pasi i kishte marrë 4.4 milionë lekë një biznesmeni nga Vora, duke u prezantuar rremë si tregtar me akses në mallra të lira.
Por kjo është vetëm maja e ajsbergut.
Burime të afërta me hetimin thonë se pas ngjarjes së fundit, Çakrri është larguar jashtë vendit përmes pikës kufitare të Morinës. Ndërkohë, nipi i tij është ndaluar nga policia dhe celulari i tij është sekuestruar. Pikërisht aty dyshohet se ndodhen prova të rëndësishme që mund të zbulojnë lidhjet mes rrëmbimit të Renis Dobrës dhe rrjetit kriminal që mund të fshihet pas tij.
Një e kaluar problematike dhe një borxh i dyshimtë në Gjermani
Renis Dobra ishte kthyer në Shqipëri pas një qëndrimi njëvjeçar në Gjermani, ku kishte vuajtur një dënim me 6 muaj burg për trafik droge. Sipas babait të tij, Rufat Dobra, djali i kishte rrëfyer për një konflikt të rëndë me disa persona, të cilët e kishin akuzuar se kishte shitur një sasi kokaine për llogari të tij, pa dijeninë e grupit me të cilin bashkëpunonte.
Renisi kishte mohuar këto akuza dhe kishte pretenduar se drogën e kishte hedhur nga frika e policisë. Por, mesa duket, askush nuk e kishte besuar.
Kontakti i fundit me të atin ndodhi rreth orës 21:00 në ditën fatale. “Më pyeti nëse të shkonte te halla apo të kthehej në shtëpi. I thashë të vinte në shtëpi. Më pas nuk mora më asnjë sinjal prej tij”, dëshmoi babai për hetuesit.
Tortura, heshtja dhe një gjurmë që të çon te kokaina e humbur
Dyshimet e para të hetuesve janë se Dobra është rrëmbyer dhe torturuar për të zbuluar fatin e drogës së humbur. Kamera sigurie, GPS-i dhe dëshmitë e afërta duket se formojnë një zinxhir provash të forta që e përfshijnë Petrit Çakrrin në këtë skemë të errët kriminale.
Grupi hetimor është gjithashtu duke shqyrtuar nëse Dobra kishte konflikte të hapura me persona të lidhur me rrjete trafiku droge, si brenda vendit, ashtu edhe jashtë tij.
Një hetim që mund të zbulojë një rrjet shumë më të gjerë
Ky nuk është thjesht një rast i izoluar. Ai rrezikon të çelë kutinë e Pandorës mbi rrjetet kriminale që përfshijnë individë me të kaluar të errët, disa prej të cilëve kanë qenë pjesë e ngjarjeve më dramatike të tranzicionit shqiptar si vrasja e Azem Hajdarit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



