Një njeri mund të jetë i denjë të kujtohet , por jo çdokush mund ta kujtojë.
Një rubrikën e tij “ Homazh” Kryeministri i vendit, ka sjellë në kujtesën e publikut figurën e At Zef Pllumit. At Zef Pllumi është pa më të voglin dyshim një figurë e denjë për respekt dhe për kujtim.
Kryeministri i vendit mund t’i japë të drejtën vetes ta kujtojë një figurë të tillë, por lind pyetja: A e ka moralin Kryeministri i vendit ta kujtojë një figurë të tillë?!
Besoj fort se kujtesa, para se të jetë një e drejtë është një moral.
Kryeministri para pak javësh pohoi në ligjëratë të drejtë se babai i tij kish qenë komunist dhe se komunistët kishin mbajtur anën e duhur të historisë.
Këtë pohim Kryeministri do ta bënte mbi Kristaq Ramën, firma e të cilit miraton varjen e poetit Havzi Nela.
Para pak javësh në rubrikën “ Homazh” kishim Kristaq Ramën dhe pas disa javësh kemi At Zef Pllumin.
Si mund të jetë i barabartë një individ që ka firmosur për varjen e një poeti me një individ që ka refuzuar të firmosë edhe pasi është torturuar, masakruar dhe poshtëruar deri në dhimbje?
Si mund të jetë i barabartë një individ që ka jetuar jashtë burgut me një individ që ka jetuar brenda tij?
Dhe meqënëse Kryeministri ka cituar pjesën e fundit të librit “Rrno vetëm për me tregue”, gjejmë rastin t’i risjellim në vëmendje, një paragraf nga po i njëjti libër, i cili trajton rëndësinë që ka mungesa apo prania e firmës në këtë rast.
Jeta në këtë mënyrë nuk ka mâ nji “pse”
-Zotni, ju e shifni se jeta në këtë mënyrë nuk ka ma nji “pse” e as kuptim. Janë njiqind ditë që vuej kot me të njajtat mjete. Sikur t’ish kenë nji kërkesë për të pranue vetëm fajsimin tem personal jam gadi ta pranoj. Por këto që ju kërkoni janë larg realiteti dhe me shpifje të randa për të tjerët; jo vetëm kaq, por asht nji budallallëk i madh që askush nuk mund e besojë se “ nji komplot ushtarak gjeneralsh komunistë organizohet së bashku me një prift katolik”. gjithkush do të qeshë.
Zotni, dikur edhe ju duhet mâ në fund të gjykoni drejt e t’i jepni fund çështjes. Të jeni të sigurt se un kurr nuk kam pranue këto akuza që më bahen; pranoj me andje vdekjen. Jua thashë edhe mâ parë; jasht asht gadi nji gjû borë; nata acar e ftohtë. Më hidhni aty dhe më pushkatoni nën pretekstin se desht me ikë; do ua ndij mâ për nderë se sa të vazhdohet mâ gjatë në këtë mënyrë.
At Zef Pllumi “ Rno vetëm me tregue”Kryeminstri i vendit mund t’i japë të drejtën vetes të bëjë shumë gjëra, sikundër ka bërë dhe vazhdon t’i bëjë, por e shkuara për fat të keq është kokëfortë dhe nuk përkon aspak me pseudokujtesën që kreu i ministrave përpiqet të na servirë.
Figurat e Sigurimit të Shtetit janë palca e Rilindjes Kombëtare dhe Kryeministri i vendit nuk ka moralin e duhur të kujtojë figurën e At Zef Pllumit , për sa kohë ky i fundit në ligjëratë të drejtë është shprehur:
“Një rrjetë tjetër e merimangës, tepër e rrezikshme e kërcënuse, ruente çdo shqiptar. Sigurimi i Shtetit, tashmâ me nji përvojë të pasun me kurthe tinzare, rrena e tradhti, i kishte ngulë çapojt në çdo tru shqiptari e si nji përbindsh i tmerrshëm, këpuste çdo fije shprese që mund të endej për andrrëne lirisë.”
At Zef PllumiKryeministri i vendit kur të fillojë të lëvdohet për prejardhjen familjare, të kuptojë se ka publik përtej ushtrisë së tij. Dhe publiku që nuk hyn në ushtrinë e Kryeministrit, e kupton se pohimi i tij mbi komunistët ka qenë krejt i sinqertë dhe i ndjerë, për sa kohë kufomat e atij sistemi të kalbëzuar po ringjallen sistematikisht në kohën që jetojmë.
Post Scriptum- Ligjet? E kush i ban ligjet? I ban pushteti ose shteti; njerëzit që sundojnë. Të gjitha ligjet që njeh historia e njerëzimit deri më sot janë për me sigurue pushtetin, ose shtetin, sidoqë të thirret ky : mbret, perandor ose president, si duesh thuej ti, ndaç thirre edhe shërbëtor, sepse Ministër don me thanë shërbëtor.
At Zef Pllumi
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



