Njeriu i Prodës padit Policinë e Shtetit, kërkon rikthimin në detyrë
Ulian Shpataraku, i njohur si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ka depozituar një padi në Gjykatën Administrative kundër institucionit ku ka shërbyer, duke kërkuar rikthimin në detyrë dhe anulimin e vendimit që çoi në largimin e tij.
Në kërkesëpadinë e paraqitur, Shpataraku argumenton se procedura disiplinore ndaj tij është zhvilluar në kundërshtim me ligjin dhe standardet e paanshmërisë. Sipas tij, urdhri për nisjen e hetimit disiplinor është firmosur nga Sokol Bizhga, i cili në atë periudhë ushtronte detyrën e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pas largimit të Ilir Prodës. Po sipas padisë, i njëjti funksionar ka kryesuar edhe komisionin disiplinor që vendosi përjashtimin e tij, çka, sipas paditësit, përbën konflikt të qartë interesi dhe e bën vendimin absolutisht të pavlefshëm.
Shpataraku kundërshton gjithashtu bazën faktike të masës disiplinore. Ai pretendon se akuza për mungesë në punë nuk qëndron, duke paraqitur në gjykatë listëprezencat që, sipas tij, tregojnë se është paguar rregullisht nga eprorët përkatës gjatë periudhës në fjalë.
Në mbështetje të pretendimeve, ai ka dorëzuar edhe një deklarim të Drejtorit të Departamentit të IT-së, ku thuhet se Shpataraku ka qenë i pranishëm në detyrë, në kundërshtim me përfundimet e komisionit disiplinor.
Një tjetër argument i paraqitur në padi lidhet me studimet e tij pasuniversitare. Sipas një vërtetimi nga Akademia e Sigurisë, programi master që ai ndiqte zhvillohej pas orës 16:00, pra jashtë orarit zyrtar të punës, duke rrëzuar pretendimin se angazhimi akademik ka ndikuar në detyrimet e tij profesionale.
Largimi i Shpatarakut nga Policia e Shtetit ndodhi menjëherë pas ndryshimeve në drejtimin e institucionit, pas largimit të Ilir Prodës. Çështja që tashmë është në shqyrtim gjyqësor pritet të hedhë dritë mbi mënyrën e ndjekjes së procedurave disiplinore dhe standardet e vendimmarrjes brenda Policisë së Shtetit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



