E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Nuk e bëri as Enver Hoxha, Edi Rama ‘i fut shkelmin’ RTSH-së
Lajme

Nuk e bëri as Enver Hoxha, Edi Rama ‘i fut shkelmin’ RTSH-së

Në fjalën e tij përmbyllëse gjatë mbledhjes së Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Kryeministri Edi Rama u ndal gjerësisht edhe te situata e Televizionit Publik Shqiptar, duke e cilësuar atë një problem të pazgjidhur prej vitesh.

Rama u shpreh se RTSH nuk mund të vijojë më në formën aktuale dhe se duhet të shqyrtohen seriozisht të gjitha opsionet, përfshirë mbylljen, riformatimin, privatizimin apo partneritetin. Sipas tij, nëse televizioni publik nuk reformohet thellësisht, nuk do të ketë më justifikim për mbledhjen e taksës së televizionit nga qytetarët.

“Ne jemi përpjekur të krijojmë kushtet që televizioni publik të reformohet dhe kemi dështuar. Nuk e di çfarë do të bëjë drejtuesja e re, por deri tani bilanci i Televizionit Publik është një dështim i suksesshëm. Nga borxhi në borxh dhe nga mospërfillja në mospërfillje”, u shpreh Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se raporti i tij personal me RTSH-në ka qenë praktikisht inekzistent për dekada. Ai deklaroi se hera e fundit që ka ndjekur televizionin publik ka qenë para viteve ’90, në kohën e protestave para përmbysjes së sistemit.

“Kemi një kanal atje. Unë personalisht, hera e fundit që e kam parë Televizionin Publik ishte para vitit 1990. Që atëherë nuk e kam parë më. Kam shkuar, kam dhënë intervista, por as intervistat e mia nuk i kam ndjekur”, tha Rama.

Ai theksoi se drejtuesit e RTSH-së nuk kanë marrë kurrë mesazhe apo ndërhyrje prej tij, duke shtuar se shpesh habitet kur deputetë apo bashkëpunëtorë i dërgojnë mesazhe për përmbajtjet e transmetuara nga televizioni publik.

“Kur ndonjëri nga ju më dërgon mesazh dhe më thotë ‘shih ç’po bën televizioni publik’, unë habitem. Si e ndjek? Por ama, të gjithë drejtuesit i kam takuar pasi janë zgjedhur”, tha Rama.

Sipas tij, mesazhi i vetëm që u ka dhënë drejtuesve të RTSH-së ka qenë radikal: mbyllja e përkohshme e ekranit për t’i hapur rrugë një reforme të vërtetë.

“U kam thënë vetëm një gjë: mbylleni. Dilni në ekran dhe thoni: ‘Televizioni Publik Shqiptar i kërkon ndjesë popullit shqiptar, të gjitha familjeve brenda dhe jashtë vendit, dhe edhe atyre që nuk jetojnë më, për shërbimin më mizerabël publik në glob. Ju premtojmë se do të kthehemi kur të jemi gati’”, deklaroi Rama.

Kryeministri ngriti edhe çështjen e performancës financiare dhe profesionale, duke krahasuar RTSH-në me televizionet private, të cilat, sipas tij, me buxhete më të vogla arrijnë më shumë sukses.

“Si ka mundësi që televizione të tjera, me shumë më pak buxhet, të kenë më shumë sukses? Sepse buxhetin nuk e kanë të garantuar, duhet ta fitojnë çdo ditë”, theksoi ai.

Rama u ndal edhe te e drejta e transmetimit të ndeshjeve të Kombëtares, duke kritikuar faktin që RTSH kërkon transmetimin, por nuk paguan detyrimet financiare ndaj Federatës Shqiptare të Futbollit.

“E duan të drejtën për të transmetuar ndeshjet e Kombëtares sepse Kombëtarja duhet të transmetohet në televizionin publik, por lekët nuk i paguajnë. Pse? Doni lekët tona? Shkoni te qeveria. Ne nuk kemi për t’i dhënë Televizionit Publik asnjë lek nga taksat e shqiptarëve, derisa ai t’i meritojë ato”, u shpreh Rama.

Në përfundim, Kryeministri theksoi se çdo alternativë duhet të jetë në tryezë, përveç vazhdimit të status quo-së aktuale.

“Çdo opsion duhet të merret në konsideratë: mbyllja përfundimtare, privatizimi, partneriteti. Çdo gjë, përveç kësaj që është sot. Por unë personalisht nuk marr pjesë në këtë proces”, përfundoi Rama.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.