“Nuk iu bëra dot krenarë”, Prenga u kërkon falje shqiptarëve
Boksieri shqiptar Kristian Prenga është mposhtur me nokaut në raundin e dytë nga kundërshtari i tij, Antoni Xhoshua, në përballjen e zhvilluar në Xhedah të Arabisë Saudite.
Sfida nisi në mënyrë premtuese për Prengën, i cili dominoi raundin e parë dhe dha sinjale të qarta se mund të merrte kontrollin e ndeshjes. Megjithatë, gjithçka ndryshoi në raundin e dytë, ku Xhoshua reagoi fuqishëm dhe e përmbysi rrjedhën e duelit, duke e rrëzuar boksierin shqiptar me një goditje vendimtare.
Pas përfundimit të ndeshjes, Prenga reagoi me një deklaratë të shkurtër, duke pranuar humbjen dhe duke theksuar se kjo nuk ishte nata e tij.
“Urime për të. Kjo nuk ishte mbrëmja ime. Ishte plani i Zotit që ai të fitonte. Unë jam me Të. Çfarë Ai thotë, unë jam mirë. Mendova se mund ta bëja të njëjtën gjë edhe në raundin tjetër, por kjo nuk ndodhi.
Kisha vetëm 10% të tifozëve këtu sepse nuk kanë ardhur për shkak të luftës. Nëse kjo ndeshje do të zhvillohej në Europë, jam i bindur se mbështetja do të ishte shumë më e madhe.
Kërkoj ndjesë të gjithëve. Nuk arrita t’ju bëj krenarë këtë herë, por do të rikthehem më i fortë”, u shpreh Prenga.
Humbja në Arabinë Saudite shënon një moment të vështirë për boksierin shqiptar, por gjithashtu lë të hapur mundësinë për rikthim dhe reagim në duelet e ardhshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



