Nuk ka dyshime, Europa rreshtohet me SHBA-në përballë Iranit
Përballë përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme, fuqitë kryesore evropiane kanë shprehur hapur mbështetjen për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj, duke paralajmëruar edhe mundësinë e veprimeve mbrojtëse ushtarake kundër Iranit.
Në një deklaratë të përbashkët, liderët e tre fuqive kryesore të Europës – kryeministri britanik Keir Starmer, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman Friedrich Merz – theksuan se vendet e tyre janë të gatshme të bashkëpunojnë ngushtë me Uashingtonin për të ndalur sulmet hakmarrëse të Irani.
Qëndrim i ashpër ndaj Teheranit
Në deklaratën e përbashkët, tre liderët shprehën shqetësim të thellë për atë që e cilësuan si sulme “të pamatura” nga Teherani ndaj aleatëve perëndimorë në rajon.
Ata paralajmëruan se përshkallëzimi i konfliktit përbën një rrezik të drejtpërdrejtë për personelin ushtarak dhe qytetarët e vendeve të tyre që ndodhen në Lindjen e Mesme.
Deklarata përmban gjithashtu një paralajmërim të qartë për veprime të mundshme mbrojtëse:
“Ne do të ndërmarrim hapa për të mbrojtur interesat tona dhe ato të aleatëve tanë, duke mundësuar veprime mbrojtëse të nevojshme dhe proporcionale për të shkatërruar aftësinë e Iranit për të lëshuar raketa dhe dronë në burimin e tyre.”
Sinjal për mbështetje ushtarake ndaj SHBA-së
Qëndrimi i përbashkët i Londrës, Parisit dhe Berlinit tregon një koordinim të fortë me administratën amerikane dhe partnerët rajonalë për të neutralizuar kërcënimet balistike dhe ajrore që vijnë nga Irani.
Deklarata lë të kuptohet se vendet europiane janë të gatshme të kalojnë nga presioni diplomatik drejt një mbështetjeje më aktive ushtarake, nëse situata në rajon vazhdon të përshkallëzohet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



