Nuk u dha rrogën puntoreve, kush është parukieri VIP që u arrestua
Një 41-vjeçar është vënë në pranga në Tiranë, pasi dyshohet se nuk u ka paguar rreth 20 250 euro paga pesë punonjëseve në parukerinë Adelse Hair Institute, një biznes që frekuentohej shpesh nga figura të njohura publike, përfshirë artistë, VIP-a dhe politikanë.
Sipas policisë, në pranga ka rënë Besmir Aliko, ndërsa për bashkëshorten e tij, Kaltrina Balaj, është nisur procedimi penal në gjendje të lirë.
Hetimet nisën pas kallëzimeve të bëra nga pesë punonjëse të subjektit, të cilat pretenduan se ishin mashtruar dhe shfrytëzuar, duke mos marrë pagesën për punën e kryer. Sipas tyre, shuma totale e pagave të papaguara arrin në rreth 20 250 euro.
Policia bëri të ditur se specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Departamentin e Policisë Kriminale në Policia e Shtetit finalizuan operacionin e koduar “Kolektivi”, në kuadër të të cilit u krye arrestimi i 41-vjeçarit dhe referimi i materialeve në prokurori për bashkëshorten e tij.
Ndaj tyre rëndojnë disa akuza penale, mes të cilave “Mashtrimi”, “Punësimi i paligjshëm”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, si edhe “Kontrabanda me mallra të tjera”. Sipas autoriteteve, ekzistojnë dyshime se pajisjet që përdorte biznesi për ushtrimin e aktivitetit janë futur në vend në mënyrë të paligjshme.
Materialet procedurale i janë referuar Prokuroria e Tiranës, e cila do të vijojë hetimet për zbardhjen e plotë të çështjes.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



