E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Onkologjiku vijon të jetë pa ilaçe, pacientët në mëshirë të fatit
Lajme

Onkologjiku vijon të jetë pa ilaçe, pacientët në mëshirë të fatit

Një tjetër shqetësim është ngritur nga pacientët e shtruar në Spitalin Onkologjik, ku sipas dëshmive të tyre mungon medikamenti i rëndësishëm për trajtimin e kancerit të prostatës, abiraterone, si edhe alternativa të tjera terapeutike. Problemi vjen vetëm pak ditë pas deklaratës së bërë nga ministrja e Shëndetësisë, Evis Sala.

Një pacient i këtij spitali tregon se prej rreth një muaji nuk ka mundur të marrë medikamentin që i nevojitet për trajtimin e sëmundjes. Ai shprehet se nuk ka mundësi financiare për ta siguruar ilaçin në tregun e zi dhe e cilëson situatën si një neglizhencë të rëndë ndaj pacientëve që përballen me një sëmundje të rëndë si kanceri.

Sipas tij, problemet nuk ndalen vetëm tek mungesa e medikamenteve. Pacienti thotë se ekzaminimin PET Scan është detyruar ta kryejë jashtë vendit, në Itali, pasi në Shqipëri nuk ka një pajisje funksionale për këtë analizë të rëndësishme diagnostikuese.

Ai denoncon gjithashtu se probleme të tjera ekzistojnë edhe në spitalin francez, ku sipas tij mungojnë lentet për ndërhyrjet e kataraktit prej rreth një viti.

Nga ana tjetër Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ka deklaruar se, sipas të dhënave nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, po punohet për të garantuar vijimësinë e furnizimit me medikamentin abiraterone.

Sa i përket mungesës së lenteve për operacionet e kataraktit, ministria ka sqaruar se ndërhyrjet nuk janë ndërprerë plotësisht. Sipas Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’, operacionet po kryhen bazuar në një sistem prioritetesh, të përcaktuar nga mjekët specialistë në varësi të urgjencës së rasteve.

Autoritetet shëndetësore bëjnë me dije se kjo situatë pritet të vazhdojë deri në përfundimin e procedurave dhe nënshkrimin e një kontrate të re për furnizimin me lente dhe pajisje të nevojshme për ndërhyrjet okulistike.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.