Operacion anti-drogë në Krujë, asgjësohen 5 mijë rrënjë kanabis
Aksioni i Policisë së Tiranës dhe Krujës kundër kultivimit të kanabisit vijon me intensitet të lartë, duke u përqendruar kryesisht në zonat e thella malore të territorit të Krujës.
Gjatë kontrolleve të deritanishme, efektivët kanë zbuluar dhe asgjësuar rreth 5 mijë rrënjë kanabis, të kultivuara në afro 100 parcela të ndryshme. Sipas burimeve zyrtare, çdo parcelë përmbante nga 50 deri në 100 bimë narkotike, të mbjella në zona të fshehta dhe të vështira për t’u aksesuar.
Megjithëse operacioni është ende në zhvillim, deri në këtë fazë nuk raportohet për persona të arrestuar. Megjithatë, policia bën me dije se ka arritur të identifikojë disa individë që dyshohet se janë përgjegjës për kultivimin dhe administrimin e këtyre parcelave, të cilët tashmë janë shpallur në kërkim.
Në terren janë angazhuar rreth 15 grupe të policisë, të cilat po vijojnë kontrollet intensive për të zbuluar parcela të tjera të mundshme. Autoritetet kanë paralajmëruar se operacioni do të shtrihet edhe në ditët në vijim, me synim goditjen e plotë të këtij fenomeni dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të personave të përfshirë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



