Pacienti 70 ditë në morg/ Spitali: Askush nuk është interesuar!
Një ditë pas denoncimit në media të skandalit në Vlorë, ku vajza zbuloi vetëm pas shtatëdhjetë ditësh që i ati nuk jetonte më, pasi e kishte shtruar në spital, ka reaguar drejtoria e Spitalit të Vlorës.

“VAJZA GËNJEN”
Sipas të dhënave të spitalit, asnjë aksident nuk ka ndodhur në ditën e regjistrimit të pacientit në spital, duke e nxjerrë kështu denoncuesen gënjeshtare. “S’ka asnjë të regjistruar për aksident dhe për më tepër nuk figurojnë të dëmtuar që kërkojnë asistencë dhe hospitalizim për të vërtetuar pretendimin se ajo është aksidentuar dhe nuk ka qenë në gjendje për të lëvizur”. Për më tepër, veç vajzës, asnjë familjar tjetër i viktimës nuk rezulton të ketë kërkuar informacion për të, sipas spitalit. Aq më pak të kenë sjellë ushqime.
Në reagimin e Spitalit të Vlorës thuhet se vetëm në mars, kur denoncuesja është paraqitur, është pajisur me fletë-dalje për të ndjerin, ashtu siç e kërkon procedura. “Sipas fletës së daljes, referuar kartelës mjekësore, i ndjeri ka qëndruar vetëm dy orë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku brenda kësaj kohe i është dhënë ndihma e parë, është pajisur me ekzaminime mjekësore dhe është transferuar drejt Spitalit Covid 1, ku siç bëhet edhe me dije, ka humbur jetën”, citohet në reagimin spitalor, në të cilin ka edhe autokritikë mbi sjelljen e stafit. Për të bindur në vërtetësinë e variantit që japin, Spitali i Vlorës shprehet i gatshëm të bashkëpunojë për zbardhjen e së vërtetës.
“Në emrin e personelit mjekësor kërkojmë ndjesë për komunikimin aspak etik (të personelit mbështetës, në rastin në fjalë, shoferi i ambulancës) edhe sigurojmë që situata të tilla nuk duhet të ndodhin për asnjë arsye. Kërkojmë nga ana e organeve kompetente hetimin dhe transparencën e rastit duke vënë në dispozicion çdo të dhënë nga ana e Spitalit Rajonal Vlorë”. Sipas kartelës mjekësore, i ndjeri ka qëndruar vetëm dy orë në Spitalin Rajonal të Vlorës dhe më pas është transferuar drejt Spitalit Covid 1, aty ku dhe ka ndërruar jetë disa ditë më vonë. Nga investigimet e bëra rezultoi se babai i Anila Zeqirit kishte humbur jetën më 6 janar dhe trupi i tij mbahej në morg, mirëpo askush nga familjarët nuk ishte kontaktuar. Spitali kërkon që Prokuroria të hetojë rastin për të zbardhur të vërtetën e kësaj ngjarjeje.
Denoncimi
Anila Zeqiri e shtroi babanë e saj, Luan Zeqirin, në spitalin e Vlorës në datën 27 dhjetor 2020, por edhe pse kaluan 2 muaj, ajo nuk e di se ku ndodhet i ati
“Unë nuk e di se ku e kam babain. Kam marrë ambulancën për babin dhe e çova në spital, ku me morën emër dhe mbiemër. Ai ka qëndruar nga data 27 deri në datën 10 më kanë thënë që është shtruar në spital dhe unë i çoja ushqime. Pastaj më thanë se nuk ndodhej aty, por ndodhej në Tiranë. Atje më thanë se nuk ishte aty dhe deri më sot kam ngelur kështu pezull. Nuk e di se sa më fshehën. Unë po çmendem se nuk e di nëse është gjallë apo ka ndërruar jetë”, thotë ajo.
Anila shkoi në spitalin e Vlorës për të kërkuar informacion për të atin, por askush nuk e ndihmon për të mësuar se ku e ka babanë. Madje njëri nga mjekët e kërcënon duke i thënë që të largohet, ose përndryshe do ta dhunojë.
Mjekët: Ka ikur më 27 dhjetor, 2 herë në Tiranë. Ka ardhur dhe ka ikur sërish atje. Ka qenë në urgjencë dhe është nisur për në Tiranë më 27 dhjetor. Ti mos na kërko babain tënd ti, mos të të zë me dacka!
Familjari: Ju nuk merrni ndonjë kontakt me ata të Tiranës se çfarë ndodh?
Mjekja: Jo nuk kemi kontakte, sepse është spital COVID ai.
Pas disa ditësh Ministria e Shëndetësisë kontakton familjarët dhe i njofton se Luan Zeqiri ka ndërruar jetë në datën 6 janar, dhe aktualisht mbahet aty në kushte frigoriferike.
Për 70 ditë viktima është mbajtur në morg dhe familjarët nuk kishin asnjë dijeni se ai kishte ndërruar jetë, ndërkohë që pas ndjekjes së rastiti nga emisioni “Boom”, familjarët mundën tëb tërhiqnin trupin e të afërmit të tyre.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



