E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pacolli i jep afat 6 muaj Ramës për të mos e çuar në Arbitrazh
Lajme

Pacolli i jep afat 6 muaj Ramës për të mos e çuar në Arbitrazh

Biznesmeni kosovar Behgjet Pacolli ka reaguar sërish lidhur me situatën në Aeroportin e Vlorës, duke deklaruar se kompania MABCO, e cila zotëron 98% të kuotave të shoqërisë VIA, është penguar në ushtrimin e të drejtave të saj si aksionere.

Në një reagim të publikuar në Facebook, Pacolli pretendon se prej vitit të kaluar MABCO është privuar nga pjesëmarrja efektive në procesin e vendimmarrjes së ndërmarrjes VIA, duke theksuar se kjo situatë ka ndikuar edhe në bllokimin e punimeve në aeroport.

Sipas Pacollit, prej prillit 2026 MABCO është privuar gjithashtu nga qasja në hapësirat dhe objektet e ndërtuara përmes investimeve të kompanisë.

Pas, sipas tij, shterimit të përpjekjeve për zgjidhjen e situatës përmes dialogut, MABCO u ka dërguar autoriteteve shqiptare një “Notice of Dispute”, në përputhje me Marrëveshjen Bilaterale ndërmjet Zvicrës dhe Shqipërisë për nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve.

Pacolli thotë se aktualisht çështja ndodhet në periudhën gjashtëmujore të parashikuar për negociata, e njohur si “cooling-off period”, gjatë së cilës palët kanë mundësinë të gjejnë një zgjidhje përpara se çështja të kalojë në arbitrazh ndërkombëtar.

Sipas tij, nëse nuk gjendet një zgjidhje, mosmarrëveshja mund të përshkallëzohet drejt ICSID, Qendrës Ndërkombëtare për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të Investimeve, pranë Bankës Botërore në Uashington.

Biznesmeni pretendon gjithashtu se MABCO u ka bërë vazhdimisht thirrje autoriteteve shqiptare për dialog konstruktiv, por deri tani nuk ka marrë një përgjigje konkrete.

Pavarësisht situatës, Pacolli shprehet se kompania do të respektojë periudhën gjashtëmujore dhe mbetet e gatshme për dialog, me synim shmangien e arbitrazhit ndërkombëtar.

Postimi i plotë i Behgjet Pacollit:

Duke u nisur nga fakti se, që prej vitit të kaluar, MABCO është, dhe edhe tani mbetet e PRIVUAR nga çdo qasje efektive në procesin e vendimmarrjes së ndërmarrjes VIA, si dhe i është pamundësuar ushtrimi i të drejtave që burojnë nga pronësia e saj prej 98% të kuotave si pasojë e drejtpërdrejtë e veprimeve dhe mosveprimeve të Autoritetit Kontraktor dhe autoriteteve të tjera kompetente.

Kjo gjendje ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në bllokimin e punimeve në Aeroport, që në fakt nga prilli 2026, MABCO është privuar nga qasja në hapësirat dhe objektet të cilat janë ndërtuar përmes investimeve marramendëse të vetë kompanisë, duke i pamundësuar në praktikë administrimin, mbrojtjen dhe shfrytëzimin e investimit të saj.

Pasi janë shteruar përpjekjet për gjetjen e një zgjidhjeje përmes rrugëve të tjera, MABCO u ka dërguar autoriteteve shtetërore shqiptare një “Notice of Dispute” në përputhje me Marrëveshjen Bilaterale ndërmjet Zvicrës dhe Shqipërisë për nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve (BIT).

Aktualisht, çështja ndodhet në periudhën gjashtëmujore të “cooling-off”, të parashikuar për t’u dhënë palëve mundësinë që mosmarrëveshjen ta zgjidhin përmes dialogut dhe negociatave për të evituar ARBITRAZHIN NDËRKOMBËTAR, ICSID pranë BANKËS BOTËRORE në Uashington.

Gjatë gjithë kësaj periudhe, MABCO u ka bërë thirrje të vazhdueshme autoriteteve të Republikës së Shqipërisë për dialog konstruktiv dhe për gjetjen e një zgjidhjeje të arsyeshme. Fatkeqësisht, deri më sot, këto thirrje nuk kanë marrë një përgjigje konkrete.

Pavarësisht kësaj, MABCO do ta respektojë në tërësi periudhën e parashikuar nga kuadri përkatës juridik, me shpresën se autoritetet shqiptare do të angazhohen në mënyrë konstruktive për zgjidhjen e “mosmarrëveshjes” dhe për shmangien e instancës së fundit, përkatësisht arbitrazhit ndërkombëtar.

MABCO mbetet e gatshme për dialog dhe për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme. Megjithatë, mundësia për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të kësaj “mosmarrëveshjeje” varet tashmë nga gatishmëria dhe vullneti i autoriteteve të Republikës së Shqipërisë për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në këtë proces.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.