Pacolli kërkon ndërhyrjen e Ballukut dhe Ambasadës zvicerane për bllokimin e Aeroportin

Shoqëria zvicerane MABCO Constructions SA, e lidhur me biznesmenin Behgjet Pacolli, i është drejtuar njëkohësisht qeverisë shqiptare, Ambasadës së Zvicrës dhe Banka Kombëtare Tregtare, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për zgjidhjen e konfliktit në shoqërinë koncesionare Vlora International Airport SHPK (VIA). Sipas kompanisë, përplasja e brendshme ka çuar në paralizimin e funksionimit të aeroportit dhe në përmbysjen e hierarkisë së vendimmarrjes gjyqësore në Shqipëri.

Në një letër zyrtare drejtuar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në vëmendje të ministres Belinda Balluku, MABCO thekson se zotëron 98% të kuotave në VIA dhe se konflikti me ortakën minoritare 2A Group ka prodhuar pasoja të rënda jo për shkak të veprimeve të saj, por si rezultat i vendimeve të Gjykatës së Shkallës së Parë. Kompania nënvizon se pezullimi i së drejtës së votës së ortakut shumicë “ka paralizuar në tërësi funksionimin operativ të VIA-s”, duke e bërë të pamundur përmbushjen e detyrimeve kontraktuale dhe duke rrezikuar drejtpërdrejt projektin strategjik të aeroportit.
MABCO i kërkon ministrisë ndërhyrje institucionale për garantimin e funksionimit normal të shoqërisë dhe siguron se nuk ka asnjë synim tërheqjeje nga investimi. Përkundrazi, kompania deklaron se është e vendosur ta çojë projektin deri në fund, duke rikujtuar se ka investuar mbi 80 milionë euro në ndërtimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.
Paralelisht, shoqëria i është drejtuar edhe Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri, duke kërkuar mbrojtje institucionale si investitor zviceran. Në letrën drejtuar ambasadores Ruth Huber, MABCO argumenton se vendimet e fundit gjyqësore përbëjnë “shkelje të rëndë” të marrëveshjes dypalëshe për mbrojtjen e investimeve mes Zvicrës dhe Shqipërisë, pasi i heqin investitorit kontrollin efektiv dhe përfitimin ekonomik nga investimi. Kompania paralajmëron se situata aktuale krijon rrezik serioz për zbatueshmërinë e projektit dhe kërkon respektimin e sigurisë juridike dhe trajtimit jodiskriminues të investitorëve zviceranë.
Një letër e tretë i është dërguar Bankës Kombëtare Tregtare, ku MABCO kërkon që banka të mos marrë në konsideratë asnjë veprim apo vendimmarrje të administratorit të emëruar nga 2A Group. Sipas kompanisë, ky emërim është produkt i një procesi të paligjshëm dhe i një asambleje të zhvilluar pa kuorum, në kundërshtim me vendimet e Gjykatës së Apelit. Çdo veprim financiar i ndërmarrë në këto kushte, thekson MABCO, do të ishte i pavlefshëm dhe potencialisht i dëmshëm për sigurinë e financimit të projektit.
Ndërkohë, kompania ka depozituar një ankesë pranë Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë kundër gjyqtares Marjana Shegani, e cila më 23 dhjetor 2025 vendosi pezullimin e plotë të së drejtës së votës së ortakut shumicë, duke përfshirë “çdo të drejtë që rrjedh nga zotërimi i kuotës”. Sipas MABCO-s, ky vendim ka rrëzuar faktikisht një vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit, e cila vetëm një ditë më parë kishte kufizuar masën e sigurimit vetëm për tjetërsimin e 47% të kuotave në konflikt, duke përmbysur parimin e hierarkisë gjyqësore dhe sigurisë juridike.
Çfarë po luhet në prapaskenë
Konflikti në VIA nisi në pranverën e vitit 2025, kur 2A Group, zotëruese e 2% të kuotave, pretendoi se i ishin kaluar edhe 47% të tjera nga MABCO përmes një kontrate që nuk është regjistruar në QKB dhe që MABCO e konsideron absolutisht të pavlefshme. Pas kësaj, një seri vendimesh të Gjykatës së Shkallës së Parë çuan në pezullimin e së drejtës së votës së ortakut shumicë dhe në paralizimin e shoqërisë koncesionare, duke bllokuar në praktikë punimet e Aeroportit të Vlorës.
Kryeministri Edi Rama, i cili e kishte prezantuar aeroportin si një nga investimet simbol të mandatit të tij dhe kishte premtuar përfundimin e shpejtë të projektit, prej javësh nuk ka pasur asnjë reagim publik për bllokimin e punimeve dhe konfliktin që po rrezikon seriozisht fatin e këtij investimi strategjik.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco


