“Paketa e Maleve”, qytetari ua plas të vërtetën në sy deputetëve
“Ndalojeni! Do na grabiten tokat, pyjet, uji e kullotat”
Një qytetar nga Gjirokastra ka ngritur shqetësime të forta gjatë një takimi të organizuar për reformën e re territoriale, duke i bërë thirrje deputetëve që të ndalojnë miratimin e Paketës së Maleve, të cilën e cilësoi si një rrezik për pronat dhe burimet e banorëve të zonave rurale.
Në fjalën e tij, ai u shpreh kritik edhe ndaj reformës territoriale të vitit 2014, duke theksuar se ajo nuk ka dhënë rezultatet e pritshme dhe se reforma e re duhet të shfrytëzohet për të adresuar problemet e thella që po çojnë në braktisjen e vendit.
Qytetari theksoi mungesën e shërbimeve si një nga arsyet kryesore të largimit të popullsisë nga zonat rurale, ndërsa paralajmëroi për pasojat që, sipas tij, mund të sjellë Paketa e Maleve për banorët e mbetur në këto zona.
“Do doja të flisja pak ndryshe, jo shumë teknikisht. Reforma e 2014-ës, duam apo nuk duam ne, ka dështuar. Këtë reformë të re që do të bëhet, duhet ta përdorim pikë së pari që të ndalojmë gjakderdhjen e kombit. I bëj thirrje të gjithë deputetëve të mazhorancës, sepse këtë, këta do ta votojnë, këta i kanë votat.
Të bëjnë ç’është e mundur që nëpërmjet kësaj reforme të realizohet ndalesa e gjakderdhjes, të mos vazhdojë më sepse Shqipëria po braktiset. Pse po braktiset? Se s’ka shërbime, nuk ka shërbime. Dhe një thirrje të fundit, rrëzoni Paketën e Maleve.
Nëpërmjet Paketës së Maleve, edhe ata pesë fshatarë që kanë ngelur lart e poshtë nëpër male, do shkojnë investitorët do ua marrin burimet ujore, do ua marrin tokat, kullotat, pyjet, dhe ku do shkojnë ata njerëz.
Edhe thotë z.Rama e dëgjova pardje. S’ka punë me pronarët, se do i kompensojë qeveria,” u shpreh qytetari.
Deklaratat e tij pasqyrojnë shqetësimet e një pjese të banorëve për ndikimin që politikat e reja mund të kenë mbi jetesën dhe pronësinë në zonat malore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




