Panik në Fier, makina merr flakë pranë parkimit nëntokësor
Një automjet tip Mercedes-Benz është përfshirë nga flakët paraditen e sotme në qendër të Fierit, në hyrje të një parkimi nëntokësor.
Zjarri ka shkaktuar shqetësim te qytetarët dhe personat që ndodheshin pranë zonës, pasi nga automjeti është përhapur një sasi e konsiderueshme tymi, duke mbuluar edhe hyrjen e parkimit.
Situata ka ngritur shqetësimin për një përhapje të mundshme të flakëve në ambientet nëntokësore, çka mund të sillte pasoja më të rënda për automjetet dhe personat që ndodheshin në zonë.
Pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe dy automjete zjarrfikëse. Ekipet e zjarrfikësve kanë ndërhyrë menjëherë për izolimin dhe shuarjen e flakëve.
Sipas të dhënave paraprake, zjarri dyshohet se ka nisur në pjesën e motorit të Mercedes-Benz-it. Ndërhyrja e shpejtë ka bërë të mundur neutralizimin e situatës përpara se flakët të përhapeshin në pjesën tjetër të parkimit.
Nga ngjarja, fatmirësisht, nuk raportohet për persona të lënduar.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë dhe strukturat përkatëse vijojnë të jenë në vendngjarje. Pritet që verifikimet të përcaktojnë rrethanat e plota të incidentit dhe shkakun që solli përfshirjen e automjetit nga flakët.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



