Paradoksi! Socialistët denoncojnë shtetin e tyre, PD zhduket fare
Ngjarja e ndodhur në Zvërnec, ku qytetarë u përballën me dhunë teksa tentonin të hynin në një zonë plazhi, ka shkaktuar reagime të forta në skenën politike shqiptare, por edhe një situatë të pazakontë në raportin mes mazhorancës dhe opozitës.
Tre deputetë të Partisë Socialiste, Ardit Bido, Briseida Çakërri dhe Erion Braçe, kanë dënuar publikisht dhunën e ushtruar nga rojet private dhe kanë kritikuar mungesën e reagimit të Policisë së Shtetit. Ata e cilësuan situatën si të papranueshme dhe në kundërshtim të plotë me të drejtat e qytetarëve për akses në hapësirat publike.
Ky qëndrim ka krijuar një paradoks politik, pasi përfaqësues të mazhorancës në pushtet po denoncojnë publikisht veprime dhe mosveprime që lidhen me institucionet shtetërore.
Nga ana tjetër, opozita duket se ka zgjedhur heshtjen. Deri më tani, nuk ka pasur asnjë reagim publik nga deputetë të Partisë Demokratike lidhur me incidentin në Zvërnec, pavarësisht natyrës së rëndë të ngjarjes dhe debatit që ajo ka nxitur në opinionin publik.
Kjo mungesë reagimi ka ngritur pikëpyetje mbi arsyet e këtij qëndrimi, në një moment kur pritej një reagim i fortë politik për një çështje që prek drejtpërdrejt të drejtat e qytetarëve dhe rolin e institucioneve të rendit.
Ndërkohë, rasti i Zvërnecit ka rikthyer në fokus debatin mbi kufijtë mes investimeve private dhe hapësirave publike, si dhe mbi detyrimin e shtetit për të garantuar akses të lirë dhe siguri për qytetarët.
Ngjarja mbetet një test për institucionet dhe klasën politike, ndërsa pritet të shihet nëse do të ketë reagime të mëtejshme apo hetime më të thelluara mbi përgjegjësitë konkrete.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



