E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Paralajmërimi: Për 30 vite nuk do lejohen ndërtimet në këto zona
Lajme

Paralajmërimi: Për 30 vite nuk do lejohen ndërtimet në këto zona

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj fenomenit të zjarreve të qëllimshme, duke e quajtur atë një akt kriminal që lidhet me individë me probleme të rënda në personalitet. Në një deklaratë publike, Rama e bëri të qartë se kushdo që vendos zjarr në mënyrë të qëllimshme, do të përballet jo vetëm me ligjin, por edhe me një ndalim të gjatë për çdo lloj zhvillimi ndërtimor në atë territor.

“Policia e Shtetit ka qenë në gjendje të arrestojë psikopatë e kriminelë që vënë zjarre. Këta që vënë zjarre kanë edhe disa karakteristika të veçanta në personalitete,” u shpreh Rama, duke nënvizuar seriozitetin e këtij fenomeni.

Ai paralajmëroi se do të merren masa drastike për të ndaluar përfitimet e mundshme nga djegia e qëllimshme e tokave, veçanërisht kur bëhet fjalë për zona që mund të shndërrohen në prona ndërtimi.

“Kemi bërë ndërhyrje ligjore të rëndësishme, aty ku vihet zjarr do ndalohet çdo lloj leje ndërtimi për 30 vite. Nëse një territor, i cili është ‘hap oreks’ për të ndërtuar, digjet, aty s’do të jepet leja e ndërtimit,” deklaroi Kryeministri.

Duke folur për nevojën e rigjenerimit të zonave të djegura, Rama tha se teknologjia do të luajë një rol të rëndësishëm në këtë proces, përmes përdorimit të dronëve mbjellës.

“Ta kenë të qartë se djegia nuk të sjell në gjendjen ku të vish të thuash: aty s’ka pemë dhe është toka ime. 30 vite do ndalohet leje e ndërtimit dhe territori do të rimbillet. Do të sjellim dronë mbjellës, forcë e re e teknologjisë, që ndihmojnë në ripërtëritjen e territoreve të djegura,” shtoi ai.

Në fund, Rama theksoi nevojën për bashkëpunim dhe gatishmëri për të përballuar sezonin e zjarreve, që siç tha ai, është afër dhe kërkon veprim të menjëhershëm.

“Sot zjarret janë në horizont por koha deri kur të përballemi me të është e çmuar dhe e shkurtër. Të gjithë duhet të bëjmë punën tonë, nuk kemi mundësi t’i ndalojmë zjarret, por të punojmë për të zvogëluar sadopak dëmin e paevitueshëm që ato bëjnë. Është luftë që kërkon durim e forcë,” përfundoi Rama.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.