Parashqevi Simaku në gjendje të vështirë, ja çfarë rrezikon tashmë
Këngëtarja e njohur Parashqevi Simaku po përjeton një periudhë të vështirë dhe, ndonëse u tha se gjendja e saj kishte marrë drejtim pozitiv, burime pranë artistes tregojnë se realiteti është krejt tjetër. Elton Ilirjani ka ngritur publikisht alarmin për situatën e saj, duke paralajmëruar se, pa ndërhyrje të menjëhershme, ajo rrezikon të mbetet sërish pa strehë.
Gjatë një interviste, Ilirjani theksoi se në 11 muajt e fundit nuk ka pasur asnjë progres në gjendjen e këngëtares. Sipas tij, Parashqevia nuk po merr trajtimin e nevojshëm mjekësor dhe as ndihmën institucionale që i është premtuar. Ai theksoi se problemet nuk mund të zgjidhen vetëm me ndihma sporadike, por kërkojnë një zgjidhje të qëndrueshme nga shteti shqiptar.
“Parashqevia është në gjendjen më të rënduar të mundshme. Kanë kaluar 11 muaj dhe nuk ka asnjë përmirësim. Pas daljes nga spitali nuk ka marrë mjekim, nuk është mirë, nuk ka motivim. Pretendon se ‘inteligjenca artificiale e ndau’, nuk e pranon ndarjen. Përveç ndihmës së mbledhur me GoFund para 11 muajsh, nuk ka marrë asnjë suport tjetër. Kam folur edhe me njerëz që ofruan shtëpi në Kavajë, por ajo ka nevojë për ndërhyrjen e shtetit, që të ndihmohet të marrë trajtimin, dokumentet, ID-të dhe të ketë dikë që merret realisht me të”, – deklaroi Ilirjani.
Vitit të kaluar, dhjetëra persona brenda dhe jashtë Shqipërisë u angazhuan për ta ndihmuar artisten, ndërsa institucionet publike u zotuan se do të ndërhynin për dokumentacionin dhe nevojat e saj bazë. Megjithatë, duket se premtimet nuk janë materializuar. Ende nuk ka asnjë informacion nëse ambasada shqiptare në SHBA ka kontaktuar me Simakun apo me personat që kujdesen për të. Sipas Ilirjanit, mbështetja që ka marrë deri tani vjen vetëm nga individë të afërt.
Kontrata e qirasë së banesës ku jeton këngëtarja përfundon në janar 2026, çka ngre sërish rrezikun që Parashqevia të mbetet pa strehim. Edhe pse kaloi një periudhë në spital, duket se gjendja e saj shëndetësore, sidomos ajo mendore, nuk është stabilizuar. Pas daljes nga spitali ishte dhënë përshtypja se gjendja ishte më e mirë, por zhvillimet e muajve të fundit tregojnë të kundërtën.
Në rrjetet sociale ka qarkulluar një status i atribuar këngëtares, ku pretendohej se ajo kishte komunikuar me djalin e saj Luke tre herë gjatë vitit. Por llogaria nuk administrohet as nga Parashqevia dhe as nga njerëzit që qëndrojnë pranë saj. Në të vërtetë, që pas takimit të fundit të pasqyruar në media, ajo nuk është takuar më me djalin dhe nuk ka as komunikim mes tyre.
Pavarësisht thirrjeve të Ilirjanit për mbështetje, deri më sot nuk ka pasur asnjë reagim nga institucionet shtetërore, as nga figura publike, ndërkohë që gjendja e artistes vazhdon të përkeqësohet.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



