“Parlamenti dhe KQZ zvarrisin mandatimin e deputetëve të rinj”- Kryemadhi zbulon “skenarin”
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi në një lidhje për të “Pa ekspozuarit” në News 24, tha se KQZ dhe Parlamenti po zvarrisin qëllimisht mandatin e deputetëve të rinj për të zgjatur sipas saj, idenë që Parlamenti të mos konsiderohet ilegjitim.
“Ajo që ndodh faktikisht është që Parlamenti shqiptar dhe KQZ-ja po zvarrisin sa më shumë procesin e deputetëve dhe të zëvendësimit, sepse nuk i kanë dot të gjithë deputetët e opozitës dhe duan ta zvarrisin sa më shumë këtë proces për të zgjatur procesin e vakancave, sepse sa më shumë të zgjatet procesi i vakancave, aq më shumë ai zgjat mosdeklarimin që Parlamenti është ilegjitim. Të jeni të bindur zoti Rakipi që do të hyjnë 17 deputetë nga LSI-ja, se nga 140 deputet që ka pasur në listë 19 janë, sepse asnjëri nga ne nuk e ka menduar që do të jetë kjo situatë. Kjo vjen nga mungesa e përgjegjësisë nga partitë politike me listat e kandidatëve për deputetë. Por mos harroni dhe një gjë tjetër që jo të gjithë njerëzit kanë të njëjtin integritet, kanë të njëjtën po themi vendosmëri, jo të gjithë janë trima, ka edhe frikacakë, ka edhe njerëz që kërcënohen, ka edhe njerëz që janë të lirë, ka edhe njerëz që blihen, ka edhe njerëz që mund të kenë një të kaluar që i mban peng. Ata njerëz nuk i njohim më, nuk janë përfaqësues të LSI”, tha Kryemadhi.
Kryemadhi u pyet edhe për deputetin Lefter Koka nëse ishte ende pjesë e kësaj partie, duke thënë se në Durrës është komanduar ish-ministri Nasip Naço.
“Jo nuk është e vërtetë, unë mendoj që ju duhet ti ndiqni aktivitetet e LSI, ka një mbledhje ku kryetarja e LSI një javë pas vetëlargimit të zotit Koka ka ngritur grupin e punës dhe në krye te grupit të punës është zoti Nasip Naço për qarkun e Durrësit. Ai është vetëlarguar sepse duhet të dini një gjë z. Rakipi se nga LSI-ja nuk përjashtohesh, por vetëpërjashtohesh. Të gjithë anëtarët, të cilët nuk kanë marrë pjesë në mbledhjet e strukturave të LSI-së për 6 muaj vetë përjashtohen. Pra ai është vetë përjashtuar sepse nuk ka marrë pjesë në asnjë mbledhje të Grupit Parlamentar, as në mbledhjet e Kryesisë dhe në momentin e deklaratës që doli kundër vendimit politik të LSI-së është larguar”, shtoi ajo.
Kryemadhi ju përgjigj edhe deklaratave të kryeministri Rama do conte logot e PD dhe LSI per skrap.
“E para njëherë, do të kisha dëshirë që z. Rama të mos e çonte Shqipërinë për skrap. Hallin e opozitës të mos e ketë, se opozitën nuk e voton ai, por e votojnë qytetarët dhe i japin të drejtën nëse duhet të jenë në Parlament apo jo. Problemi më i madh që kemi ne sot, është se ky zotëri po e çon për skrap Shqipërinë, po çon për skrap të rinjtë shqiptarë që po ikin të punojnë si skllevër rrugëve të Europës. Po shkatërron burimet natyrore të Shqipërisë duke i dhënë me koncesione. Po shkatërron çdo element njerëzor, qoftë në ekonomi, qoftë në siguri, qoftë në politikë, qoftë në drejtësi. Pra ku ka vënë dorën ai është si më qenë shejtani që djeg dhe zhurit çdo gjë. Për sa i përket dëshirave të Edi Ramës, sigurisht që dëshirat e tij janë mjaft perverse dhe këtë e ka treguar edhe rrethi i tij shoqëror. Normal që edhe fjalët të dalin nga goja e tij, nuk është se kemi ndonjë gjë të re. Është bërë shumë demode me fjalë të përsëritura. Është bërë një njeri që nuk krijon më asnjë lloj interesi dhe aq më shumë një Kryeministër që mund të ngjalli shpresën apo dëshirën për të ecur përpara për të bërë diçka të re”, tha ajo.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



