Parlamenti Evropian dënon përdorimin e gazit lotsjellës dhe plumbave të gomës ndaj protestuesve
Përdorimi i gazit lotsjellës dhe plumbave të gomës ndaj protestuesve nga ana e policisë, janë dënuar si veprime nga Parlamenti Evropian (PE).
Lajmin e ka bërë të ditur gazeta franceze Le Monde, e cila njofton se deputetët e PE-së votuan një rezolutë në datën 14 shkurt, e cila dënon përdorimin e tepërt të forcës nga ana e policisë ndaj protestuesve, veçanërisht përdorimin e gazit lotsjellës dhe të plumbave të gomës.
Rezoluta vijon si më poshtë:
Rezoluta “Mbi të drejtën për protesta paqësore dhe përdorimin e përpjesëtuar të forcës” dënon në mënyrë të veçantë “përdorimin e disa llojeve të armëve nga ana e policisë kundër protestuesve paqësorë, si ato me plumba me goditje kinetike [plumba gome] dhe të gazit lotsjellës,” si dhe “ndërhyrjet e dhunshme dhe të shpërpjesëtuara nga ana e autoriteteve publike gjatë protestave dhe demonstratave paqësore.”
Rezoluta mori 438 vota pro, 78 kundër dhe 87 abstenime. 165 deputetët e majtë dhe të gjelbër që nuk votuan pro, e bënë këtë pasi mendonin se rezoluta duhet të dënonte më ashpër përdorimin e dhunës dhe të gazit lotsjellës nga ana e policisë.

Rezoluta i bën thirrje qeverive të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian që të përdorin forcën ndaj protestuesve vetëm kur është e domosdoshme, ta përdorin atë sa më pak të jetë e mundur, dhe të ruajnë jetën dhe shëndetin e protestuesve.
Qeveritë të sigurojnë që përdorimi i forcës nga agjencitë ligjzbatuese të jetë gjithnjë ligjor, proporcional dhe vetëm kur është i nevojshëm, si dhe të ushtrohet vetëm me qëllimin për të ruajtur jetët dhe integritetin fizik të personave.”
Më tej rezoluta thotë se “përdorimi pa dallim i forcës ndaj turmës shkon kundër parimit të proporcionalitetit.”
Rezoluta mbështet edhe policinë, e cila “ka pasur shumë viktima në radhët e saj, punon në kushte të vështira, sidomos kur përballet me dhunën e disa demonstruesve të caktuar, dhe është e mbingarkuar me punë.”
PE i bëri thirrje qeverive që të mbledhin “prova për keqpërdorimin, lëndimet dhe shkaqet e lëndimeve” për rastet kur policia ka përdorur armë si gazi lotsjellës dhe plumbat e gomës, ndërkohë që ka pasur mundësi të përdorte forma të tjera më pak të dhunshme, shkruan TPZ.
Gazi lotsjellës dhe plumbat e gomës kanë shkaktuar lëndime serioze tek protestuesit në Francë, Poloni, Spanjë dhe Greqi. Në diskutimin përpara votimit në PE, deputetë francezë dënuan përdorimin e këtyre armëve gjatë protestave të “jelekverdhëve” në Francë.
Të ashtuquajturit “jelekverdhë”, për shkak se veshin jelekë fosforeshentë në protesta, nisën të protestonin kundër qeverisë franceze kur çmimi i naftës në vend u rrit me 8 lekë për litër dhe ai i benzinës me 3 lekë për litër. Protesta u shtri në të gjithë Francën dhe ende vazhdon prej javësh.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



