Pas drejtuesve të PS, radhën e kanë ministrat për të ‘bilbilosur’ te Rama
Kryeministri Edi Rama po vijon serinë e takimeve me drejtuesit e Partisë Socialiste dhe kabinetin qeveritar, në kuadër të përgatitjeve për fazën e ardhshme të mandatit të katërt qeverisës.
Pas takimit me drejtuesit politikë të PS-së në 12 qarqet e vendit dhe kryetarët e komisioneve parlamentare, Rama do të zhvillojë sot në Pogradec një tjetër mbledhje pune, këtë herë me ministrat e kabinetit qeveritar.
Takimi është konceptuar si një “retreat” pune dhe pritet të fokusohet te bilanci i punës së bërë deri tani, si dhe te përcaktimi i objektivave dhe prioriteteve për vitin e dytë të mandatit të katërt të qeverisë.
Mbledhje të këtij formati janë zhvilluar edhe më herët nga kryeministri, veçanërisht pas përfundimit të sezonit veror. Ato kanë shërbyer si një moment për të analizuar punën e institucioneve dhe për të përcaktuar axhendën qeverisëse dhe politike për muajt në vijim.
Një ditë më parë, Rama zhvilloi në Pogradec një takim disaorësh me drejtuesit politikë të Partisë Socialiste në qarqe, si dhe me drejtuesit e komisioneve parlamentare.
Në fokus të diskutimeve ishin disa nga dokumentet e prezantuara nga kryeministri në fund të korrikut. Mes tyre ishte edhe “Besa”, një dokument që lidhet me qasjen e re të Partisë Socialiste gjatë mandatit të katërt dhe me përqendrimin te problematikat dhe shqetësimet e qytetarëve.
Në diskutime u përfshi gjithashtu “Pasqyrë Albania”, platforma e konceptuar për të evidentuar problematikat e qytetarëve, për t’i ndjekur ato dhe për të synuar adresimin e tyre në kohë reale.
Pas përfundimit të takimeve në Pogradec, vëmendja e Partisë Socialiste pritet të përqendrohet te fillimi i shtatorit, kur pritet të mblidhet Asambleja Kombëtare e PS-së.
Asambleja ka shërbyer edhe në të kaluarën si një prej momenteve kryesore ku socialistët kanë bërë njoftime të rëndësishme politike. Në mbledhje të tilla janë komunikuar edhe ndryshime në përbërjen e qeverisë.
Takimet e zhvilluara gjatë këtyre ditëve vijnë në një periudhë të rëndësishme për qeverinë dhe Partinë Socialiste, pas një sezoni politik të shoqëruar edhe me protesta disa mujore pranë Kryeministrisë.
Përmes mbledhjeve me strukturat drejtuese të partisë dhe kabinetin qeveritar, pritet të përcaktohen prioritetet dhe drejtimet kryesore të punës për fazën e ardhshme të mandatit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



