“Pasqyrë Albania”, çfarë është dhe si do funksionojë platforma e re e Ramës
Kryeministri Edi Rama ka zbuluar nga Pogradeci detaje mbi platformën e re “Pasqyrë Albania”, e cila synon të modernizojë sistemin aktual të Bashkëqeverisjes dhe të krijojë një mënyrë të re për ndjekjen e kërkesave dhe shqetësimeve të qytetarëve.
Gjatë takimit në Pogradec, Rama tha se ambicia është që çdo kërkesë, shqetësim apo problem i qytetarëve drejtuar institucioneve të funksionojë si një “pako postale”, statusi i së cilës mund të ndiqet në kohë reale nga qytetari.
Sipas tij, përmes këtij sistemi edhe institucionet do të jenë në gjendje të ndjekin përgjegjësitë e tyre, ndërsa çdo tejkalim i afateve do të jetë i evidentueshëm.
Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, ka mësuar detajet e para mbi mënyrën se si pritet të funksionojë platforma e re.
“Pasqyrë Albania” do të jetë një modernizim i platformës së Bashkëqeverisjes dhe do të ketë dy seksione kryesore.
I pari do të quhet “Flamingo Mirror”, përmes të cilit do të mbërrijnë sinjalizime mbi shqetësimet dhe problematikat e përditshme të qytetarëve.
Seksioni i dytë do të quhet “Radar”. Përmes tij do të mblidhen dhe gjurmohen shqetësimet e qytetarëve, me synimin që ato të trajtohen brenda një afati të përcaktuar.
Sipas të dhënave të bëra publike, shqetësimet do të gjurmohen brenda 48 orëve, ndërsa më pas institucionet duhet të japin zgjidhje brenda një afati deri në dy javë.
Burime nga Partia Socialiste kanë deklaruar për Top Channel se përmes kësaj platforme synohet rritja e besimit të qytetarëve te institucionet shtetërore, duke vendosur në fokus zgjidhjen konkrete të problemeve të tyre.
Platforma e re pritet të jetë një prej instrumenteve që qeveria do të përdorë në raportin me qytetarët, ndërsa zgjedhjet lokale të vitit 2027 pritet të shërbejnë si një prej testeve kryesore për funksionimin dhe efektivitetin e saj.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



