PD kallëzon në SPAK Ramën dhe Gonxhen për 4 mln € të Kanye West
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, i përfaqësuar nga kryetari Gazment Bardhi, ka dorëzuar një kallëzim penal në SPAK ndaj Kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja. Kallëzimi lidhet me vendimin për financimin e një eventi privat, konkretisht koncertit të artistit ndërkombëtar Kanye West (YE), për të cilin qeveria ka miratuar një fond prej 4.2 milionë eurosh nga buxheti i shtetit.
Sipas dokumentit zyrtar, vendimi është marrë përmes Aktit Normativ nr. 3, datë 6 korrik 2026, me propozim të ministrit Gonxhja, duke parashikuar mbështetje financiare për organizimin dhe zhvillimin e koncertit që u mbajt në Tiranë më 11 korrik 2026. Qeveria e ka justifikuar këtë financim si një investim me ndikim në promovimin e turizmit dhe imazhit të Shqipërisë.
Në arsyetimin shoqërues theksohet se organizimi i aktivitetit kërkonte ndërhyrje financiare shtetërore për të shmangur dështimin e tij, duke iu referuar komunikimeve mes ministrisë dhe organizatorëve. Po ashtu, argumentohet se legjislacioni aktual nuk parashikon mekanizma të drejtpërdrejtë për financimin e aktiviteteve të tilla në këto kushte, duke e bërë të nevojshëm përdorimin e një akti normativ.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike kundërshton këtë vendim, duke e cilësuar si shkelje të rëndë të parimeve të menaxhimit të financave publike dhe konkurrencës së lirë. Sipas saj, përdorimi i fondit rezervë të buxhetit për një aktivitet të planifikuar paraprakisht bie ndesh me qëllimin ligjor të këtij fondi, i cili duhet të shërbejë vetëm për situata emergjente dhe të paparashikueshme si fatkeqësitë natyrore apo krizat civile.
Në kallëzim argumentohet se ky veprim krijon avantazh të padrejtë për një operator ekonomik të caktuar, duke përjashtuar aktorë të tjerë potencialë nga mundësia për të përfituar mbështetje financiare në kushte të barabarta. Sipas opozitës, një procedurë e hapur dhe transparente do të kishte garantuar konkurrencë dhe respektim të ligjit.
PD pretendon se vendimmarrja në fjalë ka cenuar jo vetëm fondin rezervë të buxhetit të shtetit, por edhe parimet kushtetuese të barazisë dhe mosdiskriminimit në treg. Në këtë kuadër, ajo vlerëson se veprimet e Kryeministrit dhe ministrit përbëjnë elementë të veprave penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “shkeljes së barazisë në tendera publikë”.
Çështja tashmë pritet të shqyrtohet nga Prokuroria e Posaçme, e cila do të vlerësojë nëse ekzistojnë elementë të mjaftueshëm për të nisur hetimet ndaj zyrtarëve të lartë të përfshirë në këtë vendimmarrje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



