Përkeqësohet situata nga zjarret në Lurë
260 forca në terren, dy helikopterë ndërhyjnë nga ajri
Zjarri që ka përfshirë zonën e Lurës në Dibër vijon prej rreth 24 orësh, ndërsa për përballimin e flakëve në terren janë angazhuar 260 forca nga disa struktura.
Në operacionin për shuarjen e zjarrit marrin pjesë punonjës të Bashkisë Dibër, Emergjencat Civile, shërbimet zjarrfikëse, forcat e Ushtrisë dhe Policia.
Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Dibër, Leonard Topuzi, ka deklaruar se puna për izolimin dhe neutralizimin e vatrave vijon intensivisht. Sipas tij, terreni i vështirë i zonës po e bën të vështirë afrimin e mjeteve zjarrfikëse në vatrat e zjarrit.
Për shkak të situatës dhe vështirësive në ndërhyrjen nga toka, në operacion janë angazhuar edhe dy helikopterë, të cilët po ndërhyjnë nga ajri për shuarjen e flakëve dhe vatrave aktive.
Një prej prioriteteve të operacionit ka qenë mbrojtja e banesave dhe strukturave blegtorale pranë zonës së përfshirë nga zjarri. Topuzi bëri me dije se, në bashkëpunim me punonjësit e Bashkisë Dibër dhe kryetarin Rahim Spahiu, është arritur të mbrohen pesë banesa.
Gjithashtu, ndërhyrja në terren ka bërë të mundur mbrojtjen e dy staneve blegtorale, ku ndodheshin rreth 400 krerë bagëti të imta.
Situata në Lurë mbetet nën monitorim, ndërsa forcat në terren vijojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll vatrat e zjarrit dhe për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



