Përmbytjet në Shqipëri, Ambasada e SHBA del me thirrjen e fortë
Moti i keq që ka përfshirë Shqipërinë ka ngritur shqetësime jo vetëm te qytetarët vendas, por edhe te selitë diplomatike të akredituara në vend. Së fundmi, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar publikisht, duke paralajmëruar shtetasit amerikanë që ndodhen në Shqipëri të tregojnë kujdes të shtuar për shkak të përkeqësimit të situatës nga përmbytjet.
Në një njoftim të publikuar në rrjetin social X, Ambasada Amerikane bën me dije se po monitoron në mënyrë të vazhdueshme gjendjen në të gjithë territorin e vendit, ndërsa thekson se disa zona ndodhen nën urdhër evakuimi. Sipas paralajmërimit, përmbytjet mund të ndodhin pa paralajmërim, ndërsa reshjet intensive të shiut po shkaktojnë bllokime rrugësh dhe rrëshqitje dheu, duke rritur rrezikun për qarkullimin.
Ambasada u bën thirrje shtetasve amerikanë që të shmangin zonat e prekura, veçanërisht ato ku është urdhëruar evakuimi, dhe të respektojnë udhëzimet e autoriteteve lokale, përfshirë policinë, në rastet e mbylljes së rrugëve apo kufizimeve të lëvizjes.
Po ashtu, rekomandohet ndjekja e lajmeve lokale për informacione të përditësuara mbi situatën, si dhe planifikimi i udhëtimeve në përputhje me kushtet e motit. Sipas njoftimit, edhe aplikacione si Google Maps mund të ofrojnë informacion në kohë reale për rrugët e bllokuara apo zonat e përmbytura. Drejtimi i automjeteve në zona të përmbytura konsiderohet tejet i rrezikshëm dhe duhet shmangur, duke kërkuar rrugë alternative ose duke shtyrë udhëtimin nëse nuk ka një itinerar të sigurt.
Ambasada nxit gjithashtu shtetasit amerikanë që ndodhen në zona të rrezikuara, nëse janë në kushte të sigurta, të informojnë familjarët e tyre dhe të përditësojnë statusin e tyre përmes kanaleve të komunikimit.
Në rast nevoje për ndihmë, shtetasit amerikanë mund të kontaktojnë Ambasadën e SHBA-së në Tiranë përmes numrave zyrtarë të telefonit ose adresës elektronike të shërbimit konsullor. Ndërkohë, për emergjenca të menjëhershme kërcënuese për jetën, qytetarët udhëzohen të kontaktojnë numrat e emergjencës në Shqipëri: 127 për ambulancë, 112 për policinë dhe 128 për zjarrfikësen.
Postimi i Ambasadës Amerikane në Tiranë:
Vendndodhja: Në të gjithë vendin
“Ngjarja: Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë po monitoron vazhdimisht përmbytjet në të gjithë vendin dhe u bën thirrje të gjithë shtetasve amerikanë të tregojnë kujdes maksimal në zonat e rrezikuara nga përmbytjet, të cilat po përkeqësohen. Disa zona në mbarë vendin janë nën urdhër evakuimi. Përmbytjet mund të ndodhin pa paralajmërim, ndërsa reshjet e shiut mund të shkaktojnë mbyllje rrugësh për shkak të përmbytjeve ose rrëshqitjeve të dheut.
Shtetasit amerikanë në Shqipëri që kanë nevojë për ndihmë mund të kontaktojnë Ambasadën e SHBA-së në numrin e telefonit 4224-7285 (nga Shqipëria) ose +355-4224-7285 (nga jashtë Shqipërisë), ose me email në: [email protected].
Veprimet që duhen ndërmarrë:
– Shtetasit amerikanë duhet të shmangin zonat e prekura, veçanërisht ato që janë nën urdhër evakuimi, dhe të ndjekin udhëzimet e policisë në lidhje me mbylljet e rrugëve apo ndërprerjet e qarkullimit. Ndiqni lajmet lokale për përditësime mbi situatën e përmbytjeve dhe planifikoni lëvizjet tuaja në përputhje me to. Edhe Google Maps mund të ofrojë informacion në kohë reale për mbylljet e rrugëve dhe përmbytjet.
– Mos tentoni të drejtoni automjetin në zona të prekura nga përmbytjet. Kërkoni një rrugë alternative ose konsideroni shtyrjen e udhëtimit nëse nuk ka një rrugë tjetër të sigurt.
– I inkurajojmë fuqimisht shtetasit amerikanë që ndodhen në zona të prekura, nëse janë të sigurt, të ndjekin lajmet lokale dhe të kontaktojnë drejtpërdrejt familjarët e tyre dhe/ose të përditësojnë statusin e tyre në rrjetet sociale.
– Nëse keni një emergjencë të menjëhershme ose kërcënuese për jetën, ju lutemi telefononi 127 për ambulancë, 112 për policinë ose 128 për zjarrfikësen. Mund të kontaktoni gjithashtu Emergjencat Kombëtare në [email protected], ose në faqen zyrtare: http://urgjenca.gov.al/“
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



