Përplasja te ‘Regina Palm’, shpallet në kërkim ish-deputeti Bujar Muça
Policia e Vlorës ka shpallur në kërkim edhe ish-deputetin Bujar Muça, vëllai i biznesmenit Luan Muça, në kuadër të hetimeve për përplasjen e rëndë të ndodhur në zonën e Vlorës.
Për momentin, autoritetet nuk kanë bërë të qartë se çfarë roli dyshohet se ka pasur Bujar Muça në konflikt dhe cilat janë rrethanat që kanë çuar në përfshirjen e tij në hetim. Grupi hetimor po vijon mbledhjen dhe verifikimin e provave për të përcaktuar dinamikën e plotë të ngjarjes.
Një tjetër element që ka ngritur pikëpyetje te hetuesit është zbulimi i njollave të gjakut në një prej automjeteve të sekuestruara pas përplasjes. Për këtë arsye, po verifikohet mundësia që gjatë incidentit të jetë plagosur edhe një person tjetër.
Në kuadër të këtyre dyshimeve, policia po kryen kontrolle dhe verifikime në institucionet shëndetësore të Vlorës, Fierit dhe Tiranës. Synimi është të përcaktohet nëse gjatë orëve pas ngjarjes është paraqitur për mjekim ndonjë person me dëmtime që mund të kenë lidhje me përplasjen.
Megjithatë, prania e gjakut në automjet nuk përbën ende provë se bëhet fjalë për një person të plagosur me armë. Një nga mundësitë që po shqyrtohet është që dëmtimi të ketë ardhur si pasojë e thyerjes së xhamave gjatë konfliktit, duke shkaktuar plagosje të lehta te ndonjë prej personave të përfshirë.
Hetuesit po analizojnë njëkohësisht automjetet e sekuestruara dhe provat e mbledhura në terren, ndërsa vijojnë verifikimet për të përcaktuar personat e përfshirë dhe përgjegjësitë e secilit në përplasjen e ndodhur në Vlorë.
Për momentin, dinamika e plotë e ngjarjes mbetet nën hetim dhe pritet që veprimet e mëtejshme të policisë dhe prokurorisë të hedhin më shumë dritë mbi rolin e Bujar Muçës, si dhe mbi dyshimet për personin që mund të jetë plagosur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



