Piktorja shqiptare vlerësohet me çmim të parë në Angli
Piktorja shqiptare Suela Pulaha Brown, e cila vitin e kaluar u vlerësua me çmim të parë dhe trofe për punimin e saj në vaj, “Perla”, të sopranos me famë botërore Tefta Tashko Koços, rikthehet në 2020 me një sukses të ri dhe të dyfishtë.
Këtë vit piktorja ka marrë pjesë në Festivalin e 72-të të Artit, që organizohet nga Muzeu dhe Galeria e Artit të qytetit Nuneaton në Angli. Pikturat e Suelës jo vetëm që u zgjodhën mes një numri të madh pjesëmarrësish, por edhe u vlerësuan me dy çmime.
Shqiptarja ka fituar çmimin e parë dhe trofeuan për punimin më të spikatur abstrakt, si dhe çmimin e tretë për portretin e saj në vaj të titulluar “Anastasia Bija ime”. Ky portret në stilin e tij Pre-Raphaelite ka tërhequr shumë vëmendje në ekspozitë. Nëpërmjet pikturave të saj, Suela dëshiron t’i ngjallë publikut dashurinë dhe pasionin për artin.


Por ky nuk është i vetmi gëzim për piktoren, sepse edhe vajza e saj mori pjesë në ekspozitën e të rinjve të grupmoshës nën 18 vjeç. Edhe pse e bija e piktores shqiptare ka marrë pjesë rregullisht në ekspozita lokale, ky ishte viti i parë që u përfshi në një eveniment kaq të rëndësishëm në jetën artistike të qytetit. Ajo fitoi dy çmime të para në kategori të ndryshme, si dhe u vlerësua me mburojën e Ekspozitës, e cila i jepet pjesëmarrësit me punimin më të mirë të së gjithë ekspozitës.
Piktorja shqiptare thotë se për të është emocion i pazakontë të shikojë se si fëmija arrin rezultate përkrah saj. Suela shprehet se formimin në art e mori në Shqipëri, ndaj dhe dëshiron që me shembullin e saj të nxisë dhe inkurajojë brezin e ri shqiptar, që është tepër i talentuar.


Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



