E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pista kryesore e vrasjes së Nazim Bandulës
Lajme

Pista kryesore e vrasjes së Nazim Bandulës

Zbardhet dinamika e atentatit ndaj 55-vjeçarit / Nga krimi në vitin 2000, te përfshirja në trafik droge e prostitucion

Pista kryesore për atentatin me armë zjarri ndaj Nazim Bandulës – i cili mbeti i vrarë dy ditë më parë në lagjen “Rus” në Shkodër teksa po pinte kafen e mëngjesit – është ajo e gjakmarrjes.

Grupi hetimor e lidh këtë vrasje me një ngjarje të ndodhur në vitin 2000. Në atë kohë dyshohet se shtetasi Nazim Bandula, bashkë me vëllanë e tij, Alban Bandula, kanë vrarë shtetasin Sandër Markoçi. Tri vite më vonë, Nazim Bandulës iu bë një atentat teksa ndodhej në automjetin e tij tip “Benz” në zonën e Bushatit, por arriti që t’u shpëtonte plumbave.

Po ashtu, në vitin 2020 automjetit të tij tip “X5” fouristradë iu vendos tritol, por arriti të shpëtonte, sepse shpërthimi ndodhi kur 55-vjeçari ndodhej brenda banesës dhe makina e parkuar në oborr. Në këtë mënyrë, Policia dyshon se të gjitha këto atentate deri te vrasja e dy ditëve më parë lidhen me ngjarjen e vitit 2000, kur viktima dhe vëllai i tij vranë Sandër Markoçin.

Vëllai i Markoçit, sipas burimeve, prej vitesh jeton jashtë Shqipërisë, ndërsa edhe para dy ditëve, kur mbeti i vrarë Nazim Bandula, vëllai i Markoçit nuk rezulton të ketë hyrë në territorin shqiptar.

Për mënyrën se si ka ndodhur vrasja, Policia dyshon se autorët mund të jenë vrasës profesionistë me pagesë. Autorët, që nuk janë identifikuar ende nga Policia, kanë qëlluar në mënyrë perfekte shënjestrën. Viktima po pinte kafe në një lokal të vogël dhe bashkë me të ndodhej edhe një person tjetër.

Po ashtu, në lokal kishte edhe persona të tjerë dhe tavolinat ishin shumë afër njëra-tjetrës. Pavarësisht kësaj, autorët janë afruar me mjetin e tyre dhe, pa zbritur nga makina, kanë qëlluar në pak sekonda me shumë saktësi. Plumbat kanë kapur vetëm 55-vjeçarin.

Goditja e përqendruar ndaj objektivit, saktësia dhe moslënia e gjurmëve, kanë krijuar dyshime të forta për Policinë se autorët mund të jenë vrasës me pagesë, pa harruar edhe faktin që automjeti nuk është gjetur ende. Ata që qëlluan, dyshohen vetëm si ekzekutorë, sepse për Policinë, porositësi i kësaj vrasje është një person tjetër dhe pista kryesore e këtij hetimi është gjakmarrja.

DINAMIKA E VRASJES

Ndërkohë Policia, përmes një videoje nga kamerat e sigurisë, ka arritur që të mësojë dinamikën e kësaj vrasjeje. Automjeti – që nga pamjet është një makinë tip “Benz eclas”, ngjyrë gri, me targë “AA 208 ZS” – vjen nga rotondoja e lagjes “Rus” dhe futet në unazën perëndimore.

Vetëm pas pak metrash në unazë ndalet përballë lokalit ku ndodhej 55-vjeçari dhe qëllon me breshëri plumbash dhe pastaj makina vijon rrugën drejt unazës, duke humbur të gjitha gjurmët.

Sipas verifikimeve, rezulton që targa e makinës me të cilën u krye vrasja është e vjedhur në Berat, ndërsa ky automjet ishte me xhama të errët para dhe mbrapa, gjë që e bën të pamundur për të parë se kush ka qenë brenda saj. Policia vendore e Shkodrës vijon intensivisht hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë.

DËSHMITË

Personat që kanë qëlluar rastësisht në vendngjarje kanë deklaruar se përveç automjetit që ka ardhur dhe ka qëlluar ndaj 55-vjeçarit, nuk kanë arritur që të shohin asgjë tjetër. Po ashtu, edhe familjarët dhe të afërmit e viktimës kanë deklaruar se nuk e kanë idenë përse ka ndodhur kjo vrasje, pasi sipas tyre, nuk kanë pasur konflikte dhe kohët e fundit Nazim Bandula, në dijeninë e tyre, nuk ka pasur ndonjë konflikt, presione apo kërcënime, duke mos dhënë emrin e asnjë të dyshuari. Nazim Bandula mendohet se u qëllua me 13 plumba, 6 prej të cilëve e kanë kapur në trup, duke e lënë të vdekur në vend.

Në momentin që u qëllua me armë, viktima u mundua të futej brenda lokalit, por humbi jetën në çast. Nazim Bandula lëvizte lirshëm në rrugët e qytetit, pavarësisht problemeve. Ndërkohë, vite më parë është i dyshuar si i përfshirë në trafik prostitucioni, trafik armësh dhe trafik droge.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.