E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pistat ku po hetohet vrasja e ish-deputetit Pashk Ujka
Lajme

Pistat ku po hetohet vrasja e ish-deputetit Pashk Ujka

një atentat me armë zjarri u regjistrua mbrëmjen e shkuar në qytetin e Shkodrës, ndërsa në shënjestër ishte ish-deputeti dhe ish-kryekomunari, Pashk Ujka.

Ai u qëllua me disa plumba pranë banesës së tij ku mbeti fillimisht i plagosur rëndë dhe pas më shumë se një ore ndërroi jetë në Spitalin Rajonal të Shkodrës. Viktima mori disa plumba në pjesën e shtyllës kurrizore, çka i morën jetën.

NGJARJA

Atentati ndaj 64-vjeçarit u regjistrua rreth orës 18:15 në lagjen “Vasil Shanto” ose siç njihet lulishtja e këmbimit valutor në qytetin verior të Shkodrës, ku persona të panjohur qëlluan me armë zjarri në drejtim të Ujkës. Ujka ka qenë duke ecur në lulishte bashkë me bashkëshorten e tij, kur ai u qëllua me armë zjarri silenciator. Bashkëshortja e tij, e cila e shoqëronte atë në momentet e fundit të jetës, ka deklaruar se nuk ka dëgjuar asgjë vetëm ka parë të shtrirë bashkëshortin e saj në tokë pas plagosjes. Kjo për shkak se sipas burimeve policore autori i dyshuar e ka qëlluar 64-jeçarin me një pistoletë me silenciator. Plagosja e rëndë me pasojë vdekjen ka ndodhur shumë afër banesës së ish-deputetit brenda në lulishte. “Rreth orës 18:15, në lagjen ‘Vasil Shanto’ Shkodër, në rrethana ende të paqarta është plagosur me armë zjarri shtetasi P. U., 64 vjeç, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve. Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe vijon krehja e zonës me qëllim kapjen e autorit. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe zbardhjen e ngjarjes”, sqaroi policia e Shkodrës, ndërsa Ujka ndërroi jetë në spital rreth 1 orë e 30 minuta më vonë. Ish-deputeti ka humbur shumë gjak, por po ashtu mjekët kanë hasur shumë vështirësi në nxjerrjen e plumbit në shtyllën kurrizore të 64-vjeçarit.

HETIMET

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të Policisë, duke nisur hetimet paraprake për këtë ngjarje të rëndë të ndodhur në Shkodër. Megjithatë për momentin autori vijon të jetë i paidentifikuar për shkak se ngjarja ka ndodhur brenda lulishtes në errësirë dhe nuk ka pasur njerëz të tjerë edhe për shkak të reshjeve të dendura të shiut. Zona është e rrethuar me kamera të sigurisë, por për shkak të errësirës mbetet e vështirë për ta identifikuar përmes kamerave. Gjithsesi, Policia është duke bërë hetimet paraprake për ta zbardhur të plotë ngjarjen e rëndë. Ende nuk dihet nëse atentati ka lidhje me periudhën kur Ujka drejtonte Komunën e Velipojës, një nga zonat më të lakmuara për prona në bregdetin e Adriatikut. Dyshohet se ngjarja e rëndë ka ardhur për shkak ose të detyrës si ishkryekomunar i Velipojës ose për disa borxhe që ka pasur prej vitesh ndaj personave të tjerë. Këto janë dy pistat e momentit, por nuk përjashtohen edhe pista të tjera bëjnë të ditur burime pranë Policisë.

Pashk Ujka, në shënjestër për ta vrarë edhe dy herë të tjera

Ish-kryetari i Komunës së Velipojës, Pashk Ujka, i cili mbeti i vrarë gjatë natës së shkuar në një atentat në qytetin e Shkodrës, ishte edhe më parë shënjestër e atentateve. Pak vite më parë, është qëlluar me armë zjarri në ajër në afërsi të banesës së tij në Velipojë ndërsa edhe dy herë të tjera ka pasur sulme fizike ndaj tij për të ardhur deri te mbrëmja e 29 nëntorit kur 64- vjeçari mbeti i plagosur rëndë, ndërsa më pas humbi jetën në spital. Në të gjitha rastet, motivet e ngjarjeve të njëpasnjëshme janë mbuluar me mister dhe Policia e Shkodrës nuk i zbardhi asnjëherë se kush qëndronte pas tyre

Mbeti i vrarë në atentat pranë banesës së tij në Shkodër, kush është Pashk Ujka

Pashk Ujka, i cili humbi jetën pasi u qëllua me disa plumba mbrëmjen e shkuar, ka drejtuar Komunën e Velipojës për një periudhë katërvjeçare, përkatësisht nga viti 2011 deri në vitin 2015. Në këtë periudhë si kryetar Komune, ai është zgjedhur nën siglën e Partisë Socialiste. Më herët, 64-vjeçari ka qenë edhe deputet i Parlamentit të Shqipërisë. Pashk Ujka, gjatë legjislaturës 2005-2009, ishte deputet i Partisë Demokristiane në Parlamentin Shqiptar, madje ishte kryetar i këtij Grupi Parlamentar dhe pjesë e koalicionit me Partinë Demokratike. Ai konsiderohej si një nga njerëzit më të besuar të kryetarit të kësaj partie, Nard Ndoka, por marrëdhëniet e tyre u prishën shpejt, ku Ndoka e shkarkoi nga kreu i Grupit Parlamentar. Ndërsa në zgjedhjet e vitit 2009, ai doli pjesë e Partisë Demokristiane që drejtohej nga Nikollë Lesi. Mbi emrin e tij, nuk ka shumë të dhëna dhe nuk rezulton të jetë akuzuar publikisht për përfshirjen në afera. Burimet bëjnë me dije se viktima është ndërtues i disa pallateve në qytetin verior, por nuk mund të thuhet ende nëse atentati ka lidhje me bizneset e tij

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.