E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Plas keq debati mes Shpend Gashit e Alfred Lelës!
Flash

Plas keq debati mes Shpend Gashit e Alfred Lelës!

Një debat i ashpër ka shpërthyer në rrjetet sociale mes Shpend Gashit dhe Alfred Lelës, pas komenteve kritike të këtij të fundit mbi rolin e të ashtuquajturve “intelektualë” në raport me tryezën e opozitës. Reagimi i Gashit erdhi me tone sulmuese dhe personalizuese, duke shndërruar debatin nga një diskutim mbi kulturën politike të opozitës në një përplasje të drejtpërdrejtë mes ego-ve publike. Përplasja nxori në pah edhe një herë tensionet e brendshme të kampit opozitar, ku lufta për narrativë dhe qendër me duket se ka zëvendësuar diskutimin mbi ide dhe strategji.


Ky ishte shkrimi i Alfred Lelës që drejton zyrën e shtypit në PD

Tryeza e opozitës dhe trapezat kontestatorë

Alfred Lela

Që Shqipëria është plot me ‘intelektualë’, të cilët mbahen të tillë, edhe pse librin e fundit e kanë lexuar kur kanë qenë në universitet-dhe ka qenë tekst shkollor- kjo dihet. Apo se, këtu te ne, ‘intelektual’ quhet kushdo ka një diplomë universiteti-edhe pse këto janë bërë si injeksionet botox të cilat tashmë i ofrojnë edhe dentistët- dihet gjithashtu.
Cka nuk dihet, dhe as dallohet, është se një intelektual (publik) është i tillë mbi tri premisa: i lidhur me veprimtari krijuese (dhe e ushtron këtë në shtyp, arte apo universitet); ka një zë publik, pra nuk është mendimtar ‘i kullës së fildishtë’ dhe, së treti, e përputh idealin e fjalës me të veprimit.

Tani nga maja e teorisë zbresim në fushën e praktikës, te tryeza e dialogut, thirrur nga udhëheqesi i opozitës, Sali Berisha, dhe te reagimi i ‘intelektualëve’ përkundër saj. Fjalën intelektual do ta përdor në thonjëza, sepse të gjithë reaguesit, përjashto Lubonjën, i klasifikoj (mos m’a falni paragjykimin!) si prole të fjalës, një farë që e ka mbjellë interneti me gjithësinë, paanësinë dhe rrjetësinë (world wide web). Thënë shkoqur: kanë gojë dhe gjuhë, kanë faqe në rrjete, podcaste nëpër dhoma gjumi, japin mësim në semiuniveristetet e Tiranës apo rretheve, por nuk janë intelektualë. Pra, nuk krijojnë. Përsërisin të njëjtat klishe, të njëjtat imazhe, të njëjtën butafori të mendjes dhe veprimit. Kur e shohin se nuk ngjisin në mainstream, hidhen në tregjet e konspiracionit. Qëllimi është një: të futen në qendër përmes ekstremeve, pra jo përmes krijimit, por habishkaktimit.
Pse, këta ‘intelektualët’, e kapën me tryezën e opozitës, secili nga këndi i vet i fandaksjes? Sepse ata i presin krizat si shpëtimtare për rolin e tyre, shpresojnë se nëpër trazirat e tyre to do kalojnë nga margjinat në qendër. Instinktin e kanë të saktë: vetëm krizat mund t’i shpëtojnë ekstremistët, në momente qetësie ata nuk janë më shumë se një lëmsh psikologjik që kërkon të çtirret diku.  Duke e perceptuar opozitën në krizë, ata hutohen kur nuk i thërrasin me emër të përveçëm, publikisht, që të begenisin tryezën, jo si të barabartë, jo si veprimtarë, por si shpëtimtarë. Në kokën e kokolepsur kanë ravijëzuar një aula magnaku, edhe në mos qofshin në krye, rrumbullakësia e tryezës u krijon iluzionin se janë. Është ëndrra e gomerëve që e dinë veten për kalorës, rrjedhimisht në tryezën primus inter pares me Mbretin Artur.

Po t’i vije re reagimet e tyre, alogjike siç janë ekstremitetet, përvijonin një ankesë sipas së cilës në tryezë i ftoka Sali Berisha dhe kjo i ftohka! Ou?! Pse, kush duhet t’i ftonte? Pëllumbi, recepsionisti i Partisë Demokratike? Fryma e shenjtë? Donald Trump d.v?
Nuk është ftesa dhe forma e saj që i shqetëson, është nevoja për të krijuar dhe luftuar një betejë imagjinare, për të pasur mullinj që fryjnë erë për balonat e iluzioneve të tyre. Ashtu të trandur, fantazojnë për horizontet ku duhet të shkojë trupa e madhe opozitare, dhe vertikalet që duhet të bëjë për të mbërritur aty.

Njëri thotë: më ftuan, por nuk shkova. Tjetri, më ftuan, shkova, por nuk më pëlqeu, se tryeza ishte drejtkëndëshe, jo si e Mbretit Artur, ku mua, ngado të më kthesh, do të isha në qendër. Dhe këtu vijmë të dallimi mes njerëzve aksidente publike dhe intelektualëve, raporti i tyre me qendrën. Të parët, ngaqë nuk e përballojnë dot vetminë dhe inkoherencën, me qendër kuptojnë veten dhe fanepsjet e tyre. Të dytët, duan të çojnë në qendër idetë, por janë mirë edhe kur qendra rrotullohet idesh të tjera. Fanepsjet e tyre nuk i shohin si ide për të gjithë, por si pjesë e procesit krijues të brendshëm. Nëse nuk pranohen, vijojnë me gjëra të tjera.
Nuk kërkoj që shija ime për këta ‘intelektualë’ t’u thotë gjë. Por kontrasti i tyre me  të tjerë në  tryezë duhet t’u shpjegojë diçka. Nder të munguarit e njëqind e një tekave, të blerët e një mijë e një llogarive, spurdhjakët e një million e një ‘do dalim ku të vija e mbrothët koha’, media antiopozitare solli në qendër të fandaksurit në kërkim të qendrës. Në tryezë qenë dhjetra njerëz të proceseve krijuese, secili në lamijen e vet, artistë, autorë, gazetarë, sipërmarrës, aktivistë, klerikë etj.
Asnjë nuk u theksua, sepse mediat e qeverisë vunë, si përherë, në pasqyrat e tyre fytyrat e gaztorëve, Olios e Stelios. Fakti që mediat u ndihmuan në ngritjen e këtij perceptimi edhe nga këta ‘intelektualët e hurit dhe të litarit’, dëshmon se alenaca e banalitetit triumfon më lehtë në epokën e internetit.
Mund të mos e ndalim, por të paktën mund ta shpjegojmë dhe ironizojmë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.