Plas lufta për kontrollin e Fierit, krisje mes Ballukut dhe Subashit
Kërkohet shkarkimi i kryetarit të Këshillit Bashkiak
Belinda Balluku, edhe pse nuk mban më një rol në qeveri, duket e vendosur të konsolidojë ndikimin e saj politik brenda Partisë Socialiste, me fokus të veçantë në Qarkun e Fierit, ku mban pozicion drejtues.
Prej kohësh, në skenën lokale përflitet për një raport të tensionuar mes saj dhe kryebashkiakut të Fierit, Armando Subashi. Zhvillimet e fundit duket se po e konfirmojnë këtë përplasje të brendshme.
Së fundmi, nënkryetarja e Këshillit Bashkiak, Fatbardha Merkaj, e konsideruar si një nga njerëzit e afërt të Ballukut, ka kërkuar zyrtarisht mbledhjen e Këshillit për ditën e enjte. Në rendin e ditës përfshihet edhe një pikë e fortë: votimi për shkarkimin e kryetarit të Këshillit Bashkiak.
Megjithëse në kërkesën zyrtare nuk jepen arsyet e këtij veprimi, zhvillimi shihet si një hap i qartë në përplasjen politike mes dy kampeve.
Mbledhja e së enjtes pritet me interes të lartë, pasi mund të zbulojë balancat reale të pushtetit në Bashkinë e Fierit dhe të tregojë qartë se kush ka ndikimin dominues: Balluku apo Subashi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco




