Policia i vë pranga 30-vjeçarit që dilte fundjavave në lokalet e natës
Një 30 vjeçar ka rënë në prangat e Policisë së Durrësit në operacionin policor “Weekend”, ku u sekuestrua 1 kg lëndë e dyshuar heroinë, doza me kokainë, fara kanabisi, peshore elektronike dhe një sasi parash, e dyshuar e përfituar nga aktiviteti kriminal i shpërndarjes së drogave të forta.
Në pranga ra shtetasi A. Dh, 30 vjeç, banues në lagjen Nr. 12, Nishtulla, Durrës.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve kishin marrë informacion në rrugë operative se shtetasi A. Dh. merrej me shpërndarje të drogave të forta, kryesisht në fundjavë, në lokale nate. Gjithashtu, ky shtetas përgatitej për të kultivuar bimë nakotike, pasi kishe siguruar një sasi farash kanabis sativa.
Gjatë operacionit, këtij shtetasi iu kapën në flagrancë gjatë kontrollit fizik, doza me lëndë narkotike kokainë e heroinë, të përgatitura gati për shitje.
Operacioni ka vijuar me kontrollin e banesës, ku shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan gjithsej, 1 kg heroinë, 6.5 gr. kokainë, një qese me fara kanabisi, një peshore elektronike dhe një sasi eurosh, paund e lekë shqiptare, të dyshuara të përfitura nga shitja e lëndëve narkotike.
Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për hetime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



