Politika në ankth nga hapja e rrugës për SPAK
PD-LSI dalin kundër kandidatëve për KLGJ e KLP, kërkojnë rikthimin e Metës në krye të gjyqësorit

Kuvendi i ka hapur dje rrugë ngritjes së organeve që do të luftojnë korrupsionin në nivele të larta. Ditën e djeshme u përzgjodhën me short 10 kandidatë për KLGJ dhe KLP, por njëherësh u hap rruga dhe për ngritjen e SPAK. Edhe pse SHBA-BE i kanë pasur sytë gjithmonë te lufta ndaj korrupsionit, KLGJ e KLP u mbajtën të bllokuar për gati një vit, duke mos lejuar ngritjen e SPAK dhe të Byrosë së Hetimit. Por dje u dëshmua qartë se kush është më shumë e shqetësuar nga reforma në drejtësi. Gjatë diskutimeve që u bënë në komisionin ad hoc me 5 anëtarë, PD dhe LSI rrëzuan të gjithë kandidatët nga shoqëria civile, avokatia dhe pedagogët. Përfaqësuesi i PD, Oerd Bylykbashi nuk mori fare pjesë në votim, ndërsa përfaqësuesi i LSI, Nasip Naço votoi kundër një numri të madh kandidatësh. Ndërsa nga PS pati për disa emra vota pro, por për kualifikimin e tyre nevojiteshin 4 vota. Megjithatë PD e LSI nuk kursyen akuzat ndaj kandidatëve, duke rrëzuar të gjithë emrat e paraqitur nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit. Sipas tyre ata janë përzgjedhur qëllimisht për të kapur KLGJ e KLP dhe më pas SPAK. Por pse opozita ka qenë mjaft e shqetësuar? Sipas përcaktimeve në ligjin për organet e luftës ndaj korrupsionit, anëtarët e SPAK do të përzgjidhen nga KLGJ dhe KLP. Këshilli i Lartë Gjyqësor do të zgjedhë gjyqtarët, ndërsa Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të zgjedhë prokurorët. Pra duket se i gjithë meraku i politikës është SPAK dhe jo te KLGJ dhe te KLP. Por ditën e djeshme LSI ka lënë të nënkuptohet se nuk është aspak e kënaqur dhe me faktin se Ilir Meta shumë shpejt do të ikë nga drejtimi i KLD. Deputeti Nasip Naço, dje në mbledhje deklaroi se shumë prej kandidatëve kanë problem me karrierën dhe sipas tij, do jetë absurde nëse dikush prej tyre zgjidhet kryetar i KLGJ apo dhe i KLP. Por Naço ka deklaruar se më idealja do të ishte sistemi që ka Franca dhe Italia. Por nëse shohim këto dy sisteme, atje ekzistojnë KLGJ dhe KLP, por në krye qëndron Presidenti. Pra LSI kërkon që Meta të vijojë të drejtojë sistemin e drejtësisë në vend. Duket se shqetësimet e saj janë dy, e para ngritja e SPAK dhe e dyta që me ngritjen e KLGJ, Ilir Meta do të dalë jashtë sistemit të drejtësisë.
Lufta ndaj korrupsionit
Dje komisioni ad hoc zgjodhi 10 anëtarë për KLGJ dhe KLP, duke i hapur zyrtarisht rrugë ngritjes së të gjitha organeve të reja të drejtësisë, veçanërisht SPAK. Por çfarë realisht do të ndodhë tani? Emrat e përzgjedhur dje do i shkojnë Parlamentit dhe do të hidhen në votim ditën e enjte. Por me shumë gjasë votimi do të dështojë, pasi emrat kërkojnë shumicë të cilësuar votash, që mazhoranca nuk i ka. Pas kësaj do të hidhet shorti për emra të rinj dhe të enjten tjetër do i shkojnë sërish seancës. Nëse dështojnë dhe në votimin e dytë do të ketë një raund të tretë, ku sërish nëse nuk ka konsensus mazhorancë-opozitë, emrat e përzgjedhur me short në këtë raund quhen të miratuar. Kjo do të thotë se me shumë gjasë me 8 shkurt zgjidhen anëtarët e parë të KLGJ dhe të KLP. Më pas është Konferenca Gjyqësore me Këshillin e Prokurorisë që do të zgjedhin nga 6 anëtarë nga gjyqtarët dhe prokurorët. Pasi të zgjidhen emrat, atëherë kompletohen dy prej organeve më të rëndësishme. Pas kësaj, nis akomodimi dhe ngritja e stafeve. Dy muaj pas ngritjes së tyre, fillon automatikisht ngritja e SPAK. Nëse punët ecin si duhet, në maj duhet që të hidhen hapat e parë të SPAK. Pra duket se gjërat tani janë zinxhir dhe politika nuk e ndal dot më reformën në drejtësi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



