Prag lufte SHBA-Venezuelë? Trump: Ditët e Maduros janë të numëruara
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lënë të kuptohet se regjimi i Nicolas Maduro-s në Venezuelë mund të jetë drejt fundit, në një moment kur tensionet ushtarake në rajonin e Karaibeve janë rritur ndjeshëm.
Në një intervistë për emisionin “60 Minutes” të rrjetit amerikan CBS, Trump u pyet drejtpërdrejt nëse vendosja e trupave amerikane pranë Venezuelës kishte si qëllim frenimin e trafikut të drogës apo largimin e Maduros nga pushteti.
“Jo, kjo ka të bëjë me shumë gjëra,” tha ai.
“Ky është një vend që lejoi që burgjet e tyre të zbrazeshin në vendin tonë.”
I pyetur më pas nëse “ditët e Maduros si president janë të numëruara”, Trump u përgjigj shkurt:
“Do të thoja po. Mendoj se po.”
Rritje e pranisë ushtarake amerikane në Karaibe
Komentet e presidentit amerikan vijnë në një moment kur Uashingtoni ka rritur ndjeshëm praninë e forcave detare dhe ajrore në Karaibe.
Sipas burimeve të mediave ndërkombëtare, rreth 10,000 ushtarë dhe 6,000 marinarë amerikanë janë aktualisht të dislokuar në rajon, së bashku me tetë anije luftarake të Marinës.
Në mesin e tyre përfshihet edhe grupi i aeroplanmbajtëses USS Gerald R. Ford, i cili pritet të mbërrijë në zonë gjatë kësaj jave. Ndërkohë, avionë luftarakë F-35 janë vendosur në bazat ajrore të Porto Rikos, si pjesë e një operacioni të gjerë që zyrtarisht synon luftën kundër trafikimit të drogës.
Akuzat e SHBA ndaj regjimit të Maduro-s
Administrata amerikane e ka akuzuar Nicolas Maduron për drejtimin e karteleve të ashtuquajtura “narkoterroriste”, të cilat kontrabandojnë sasi të mëdha droge drejt Shteteve të Bashkuara.
Në kuadër të kësaj fushate, Departamenti i Drejtësisë ka ofruar shpërblime për kapjen e Maduro-s dhe zyrtarëve të lartë të regjimit të tij.
Më herët gjatë vitit, SHBA kishte vendosur një prani të madhe detare në Karaibet perëndimore, duke kryer operacione kundër anijeve të dyshuara për trafik narkotikësh në ujërat ndërkombëtare.
Nga ana e tij, Maduro ka mohuar kategorikisht të gjitha akuzat, duke pretenduar se Trump po “fabrikon një luftë të re” për qëllime politike.
Uashingtoni: As po, as jo për një ndërhyrje tokësore
I pyetur nëse SHBA po përgatitet për një sulm tokësor kundër Venezuelës, Trump as nuk e konfirmoi dhe as nuk e mohoi mundësinë.
“Nuk po them se është e vërtetë apo e pavërtetë,” tha ai.
“Nuk flas me një gazetar për të treguar nëse do të sulmoj apo jo… Nuk do t’ju them se çfarë do të bëj me Venezuelën.”
Sipas raportimeve të mediave amerikane, Shtëpia e Bardhë po shqyrton disa skenarë të mundshëm ndërhyrjeje, përfshirë objektiva strategjike brenda territorit venezuelian, si bazat e dyshuara të kontrabandës së drogës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



