‘Prania Besnike’ e 100 ditëve rezistencës së protestës ndaj Ramës
100 ditë revoltë dhe 10 dështimet spektakolare të mbretërisë së Ramës
Teksa Shqipëria e mbretit, veshur shik me të zeza, po përvëlohet nga zjarri, nga jugu në veri, sot është edhe dita e 100-të e protestave kundër qeverisë. Kjo, për ironi të fatit politik të tij, mund të quhet vërtet “Prania Besnike”, në shesh, në mes të vapës dhe pa u ndalur. Pas 100 ditësh protestash dhe marshimesh, mbretit i kanë mbaruar marifetet dhe rrenat me besë! Që kur nisi revolta qytetare, më 31 maj, me atë që njihet si “Revolucioni Flamingo”, mbretit i është prishur terezia. Tashmë as fanatikët nuk e durojnë dot tek shtiret dhe bën rolin e shejtanbudallait, teksa po futet në vitin e 14-të si kryeministër. Dhe bilanci është katastrofik: mbreti me atlete dhe me institucione të rrënuara.
Figurat emblematike të mbretit janë Zegjine Çaushi dhe Sara Mile, Eduard Shalsi, Blendi Gonxhja, Blendi Klosi, Peleshi etj. Në ditën e 100-të të protestës, mbreti do të mësojë sot në mbrëmje, nga një përgjim, se një oligark dhe shumë i afërt e ka turpëruar para shërbimeve të miqve të Shqipërisë, ku shteti ynë duket si lodër kartelash. Por përgjime të tjera kanë rezervuar edhe partnerët francezë dhe tashmë duket se skandaleve dhe idiotësive të mbretit nuk u dihet fundi. “Dobësia” dhe vëllai siamez i tij, Berisha, kaloi oqeanin dhe do të kthehet triumfator, por pa mundur t’u afrohet protestuesve në bulevard.
Tani po vjen edhe gjenerali në pension te Rruga e Elbasanit dhe zyra të paktën do të ketë komandat. Prania besnike e protestuesve në shesh, para zyrës së mbretit, të paktën shkundi mbretërinë e madhërishme të Zegjinesë. Ergys Agasi, mëkëmbësi i mbretit, ra në burg! Ushtarët deputetë filluan zborin e radhës. Bandat e trojeve në Palasë i qetësoi duke i shpronësuar vetë mbreti me paratë e pensionistëve.
Por, pas gjithë kësaj fasade, çfarë mbetet nga 14 vitet e “mbretit” Rama? Mbeten dhjetë dështime spektakolare që nuk i mbulon dot as propaganda, as boja e fasadave dhe as batalioni i ekraneve të pushtetit.
1. Shqipëria që u boshatis
Ky është dështimi më i madh dhe më i pakthyeshëm. Një qeveri mund të riparojë një rrugë, mund të ndryshojë një ligj dhe mund të ndërtojë një shkollë tjetër. Por nuk i kthen dot lehtë qindra mijëra njerëzit që humbën besimin dhe u larguan.
Sipas të dhënave të Censit alla qeveri, popullsia rezidente ra nga rreth 2,8 milionë banorë në vitin 2011 në 2,4 milionë në vitin 2023. Por te dhënat reale jane me dramatike Pra, Shqipëria humbi rreth 28 për qind të popullsisë brenda një periudhe që përkon pothuajse plotësisht me qeverisjen e Ramës. Komisioni Evropian paralajmëron se emigrimi i punonjësve të kualifikuar po thellon mungesën e fuqisë punëtore dhe “ikjen e trurit”. Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë, 2025
Mbretit i mbetën sheshet, kullat e drogës dhe ekranet. Shqiptarëve u mbetën aeroporti “Nënë Tereza”, autobusët dhe valixhet për ikur sa më parë nga ky vend.
2. Korrupsioni që u bë sistem qeverisjeje
Rama premtoi shtet. Ndërtoi sistem. Jo sistemin që u premtua qytetarëve, por një mekanizëm ku pushteti politik, administrata, tenderët dhe një grusht përfituesish rrotullohen në të njëjtën orbitë.
Komisioni Evropian deklaron se korrupsioni vazhdon të jetë i përhapur në sektorët e cenueshëm, si në sferën publike, ashtu edhe në atë private. Institucionet parandaluese kanë ndikim të kufizuar, ndërsa koordinimi me organet ligjzbatuese mbetet i dobët.
Në vitin 2024, Gjykata e Posaçme e Apelit dha 24 vendime përfundimtare në çështje korrupsioni, me 106 persona të dënuar. Mes tyre kishte edhe raste të korrupsionit të nivelit të lartë. Kjo nuk është certifikatë suksesi për qeverinë. Është radiografia e një shteti ku korrupsioni ka depërtuar deri në majë. Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë, 2025
3. Drejtësia e re me qytetarin e vjetër në radhë
U premtua drejtësi e shpejtë, e pavarur dhe e barabartë. Qytetari mori gjykata me vende vakante, procese të zvarritura dhe dosje që presin me vite.
Komisioni Evropian vëren probleme me kohëzgjatjen dhe cilësinë e vlerësimeve, emërimeve, ngritjeve në detyrë dhe transferimeve në sistemin gjyqësor. Mungesa e financimit pengon shtrirjen e sistemeve elektronike dhe qasjen normale të qytetarëve në drejtësi.
Ndërkohë, mazhoranca dhe opozita kryesore kanë përdorur retorikë kundër gjyqësorit, duke ngritur shqetësime për ndarjen ndërmjet pushtetit ekzekutiv dhe drejtësisë. Reforma që duhej të çlironte drejtësinë u përdor nga politika si flamur, alibi dhe armë propagandistike. Mbreti i ka bllokuar dhe pagat pallatit të drejtësisë së re.
4. Parlamenti i kthyer në noter të mbretit
Në një republikë, Parlamenti kontrollon qeverinë. Në mbretërinë e Ramës, Parlamenti regjistron vendimet e oborrit.
Komisioni Evropian thotë se funksionimi i institucioneve demokratike është pjesërisht i cenuar, se kontrolli parlamentar mbi ekzekutivin mbetet i kufizuar dhe se Parlamenti ka dështuar të zbatojë disa vendime të Gjykatës Kushtetuese.
Ligjet kalojnë me shpejtësinë e urdhrit politik. Deputetët zegjine vëtëm ngrenë kartonin. Ministrat lexojnë fjalimin. Mbreti vendos. Republika mbetet vetëm në kopertinën e Kushtetutës.
5. Shëndetësia “falas”, ku qytetari paguan 59,7 për qind
“Shëndetësi falas” ishte një nga mashtrimet më të mëdha elektorale. Pas më shumë se një dekade, qytetari shqiptar vazhdon të paguajë nga xhepi për analiza, ilaçe, ekzaminime dhe shërbime.
Në vitin 2024, shpenzimet publike për shëndetësinë ishin vetëm rreth 2,8 për qind e prodhimit të brendshëm bruto. Sipas Komisionit Evropian, Shqipëria ka nivelin më të lartë të pagesave shëndetësore nga xhepi në Evropë: qytetarët mbulojnë 59,7 për qind të kostove të përgjithshme. Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë, 2025
Falas ishte vetëm slogani. Faturën e paguan i sëmuri.
6. Arsimi që prodhon diploma, por humbet dijen
Qeveria ndërroi ministra, mbylli shkolla dhe prodhoi strategji. Rezultati ishte një sistem arsimor që po humbet nxënës dhe cilësi.
Në arsimin bazë u regjistruan 250.617 nxënës, rreth 2,9 për qind më pak se një vit më parë. Komisioni Evropian kërkon ende forcimin e cilësisë dhe gjithëpërfshirjes së arsimit. Rezultatet e Shqipërisë në testimin ndërkombëtar PISA 2022 shënuan rënie të fortë në matematikë, lexim dhe shkencë, krahasuar me vitin 2018. Rezultatet PISA 2022 të OECD-së
Mbreti ndërtoi portale. Fëmijët humbën pikë. Mësuesit humbën autoritetin. Shkollat humbën nxënësit.
7. Varfëria që nuk del në televizion
Propaganda numëron turistët, aeroportet dhe tavolinat e restoranteve. Statistikat numërojnë qytetarët që nuk sigurojnë dot një jetë normale.
Rreth 19,7 për qind e popullsisë rezulton në rrezik varfërie. Për fëmijët, treguesi arrin në 26,5 për qind. Vetë Komisioni Evropian thotë se masat e ndërmarra për trajtimin e varfërisë kanë qenë të pamjaftueshme dhe se ende nuk ekziston një mekanizëm indeksimi për ndihmën ekonomike.
Shqipëria e propagandës ha në restorante luksoze. Shqipëria reale numëron lekët për bukën, ilaçet dhe energjinë.
8. Media nën presion dhe informacioni i mbyllur me dry
Në mbretërinë e propagandës, gazetari i mirë është ai që transmeton kasetën e gatshme. Gazetari që pyet, heton dhe denoncon kthehet në armik.
Komisioni Evropian evidentoi 45 raste të cenimit të sigurisë së gazetarëve gjatë vitit 2024. Sulmet verbale dhe fizike, fushatat denigruese dhe paditë frikësuese vazhdojnë. Përqendrimi i pronësisë dhe mungesa e transparencës së financimit dëmtojnë pavarësinë e medias.
Vetëm gjatë vitit 2025, Komisioneri për të Drejtën e Informimit mori 365 ankesa nga gazetarë, të cilëve u ishin refuzuar dokumente ose të dhëna zyrtare. Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë, 2025
Transparenca e Ramës funksionon vetëm kur kamerën e mban vetë Rama.
9. Inceneratorët, plehrat dhe mjedisi pa shtet
U paguan miliona për inceneratorë. U prodhuan hetime, arrestime dhe dënime. Plehrat mbetën.
Komisioni Evropian konstaton se Shqipëria nuk bëri përparim në mjedis dhe ndryshimet klimatike gjatë periudhës së raportimit. Kapacitetet për inspektimin dhe ndëshkimin e krimeve mjedisore janë dobësuar. Sistemi kombëtar i monitorimit të ajrit ka vetëm shtatë stacione automatike, të cilat rezultojnë jashtë funksionit për shkak të mungesës së fondeve të mirëmbajtjes.
Për menaxhimin e mbetjeve kërkohet veprim urgjent. Shërbimet e furnizimit me ujë dhe kanalizimeve vazhdojnë të jenë në nivel të ulët. Madje, Komisioni evidenton se ndryshimet ligjore të vitit 2024 dobësuan mbrojtjen e zonave të mbrojtura. Raporti i Komisionit Evropian për Shqipërinë, 2025
Pyjet digjen, lumenjtë shfrytëzohen, bregdeti betonizohet dhe mbreti pozon me pemën e djegur të ullirit.
10. Ekonomia e fasadës, tenderëve dhe pronave pa drejtësi
Rama e shet Shqipërinë si histori suksesi. Por bizneset përballen ende me gjykime të gjata, informalitet, burokraci, financim të kufizuar dhe pasiguri pronësore.
Komisioni Evropian vëren se digjitalizimi i Kadastrës ecën ngadalë dhe në mënyrë të pabarabartë. Nga rreth 400 mijë kërkesa për legalizim, vetëm 64 për qind rezultonin të përfunduara, ndërsa regjistrimi fillestar i pronave parashikohet të vazhdojë deri në fund të vitit 2028.
Projektet publike vuajnë nga vonesat, tejkalimi i kostove, dokumentacioni i paplotë dhe mosrespektimi i procedurave. Ekzekutimi i dobët i investimeve kapitale është kthyer në fenomen të përsëritur.
Pra, paratë gjenden. Ato thjesht nuk mbërrijnë gjithmonë atje ku u premtohet qytetarëve.
Ky është bilanci real i mbretit Rama: një vend me më pak njerëz, më shumë koncesione, shëndetësi që paguhet nga xhepi, arsim që humbet cilësinë, media nën presion, administratë të centralizuar dhe korrupsion të përhapur.
Pas 100 ditësh në shesh, protestuesit nuk i kërkojnë mbretit një favor. I kujtojnë se Shqipëria nuk është pronë e tij, Kryeministria nuk është pallat mbretëror dhe qytetarët nuk janë as ushtarë, as shërbëtorë dhe as dekor për fotografitë e propagandës.
Mbretit mund t’i kenë mbetur atletet. Por Shqipërisë po i mbaron durimi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



