E premte, 23 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
ONE MAN STATE SHOW dhe klasa me studentët e Edi Ramës
OP-ED

ONE MAN STATE SHOW dhe klasa me studentët e Edi Ramës

 

Naim Noka

Shqipëria nuk ka patur dhe nuk ka  qeveri. Ka një skenë, një mikrofon dhe një aktor të vetëm. Edi Rama nuk e drejton shtetin, ai e luan atë. Çdo ditë, çdo orë, në çdo rrjet social.

Gjithçka nisi që në 2005, kur mori në dorë Partinë Socialiste. Në garën për pushtet, Rama bëri pazarin që çdo politikan i ndershëm e refuzon: hapi dyert për këdo që sillte vota, pa pyetur nga vinin ato vota dhe me çfarë çmimi. Emra të fortë, figura me të kaluar të errët, njerëz që në një shtet normal do të ishin në sallat e gjyqit dhe jo në listat e partisë. Ishte pakti me djallin, dhe Rama e nënshkroi pa i dridhur dora.

Kur erdhi në pushtet në 2013, faturat duheshin paguar. Zyrat e shtetit u kthyen në plaçkë lufte. Postet nuk u dhanë sipas meritës, por sipas besnikërisë dhe shërbimeve të bëra. Dhe vendi u mbush me skandale që askush nuk mund t’i quajë më raste të izoluara.

Sot, pas mbi një dekadë në krye, Rama ka zbuluar papritur se administrata e tij është e kalbur. Dhe po i shkarkon me radhë drejtorët, të njëjtët që ai vetë i zgjodhi, i testoi dhe i mbajti për vite. Kur një kryeministër pastron njerëzit e tij, ai nuk po pastron shtetin, po fshin gjurmët.

Kjo është thelbi i “one man state show”: çdo sukses është i tij, çdo dështim është i dikujt tjetër. Asgjë nuk lëviz pa firmën e tij, por kur gjërat shkojnë keq, papritur faji është i “drejtorit”, i “administratorit”, i “sistemit”. Një njeri që kontrollon gjithçka nuk mund të deklarohet i pafajshëm për asgjë.

Klasa e e kryeministrit Edi Rama

Rama sot kërcënon studentët, të rinjtë që dolën në shesh dhe u përballën me dhunën e shtetit. Por ia vlen të shohim kush janë “studentët” e tij.

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, e pandehur nga SPAK për korrupsion, e mbrojtur nga mazhoranca që votoi kundër arrestimit të saj. Erion Veliaj, kryebashkiaku i Tiranës, në pranga për korrupsion dhe pastrim parash. Ilir Beqja, ish-ministër i Shëndetësisë, i akuzuar për korrupsion. Lefter Koka, ish-ministër i Mjedisit, në qendër të aferës së inceneratorëve. Saimir Tahiri, ish-ministër i Brendshëm, i akuzuar për trafik droge. Fatmir Xhafa, ish-ministër i Brendshëm, vëllai i të cilit u dënua për trafik ndërkombëtar droge. Armando Prenga dhe Rrahman Rraja, deputetë të Ramës në dosjen “Metamorfoza”. Gys Agasi dhe skema e AKSHI-t, institucion nën varësinë e drejtpërdrejtë të Kryeministrisë. Dhe mbi 35 kryetarë bashkish socialistë të dënuar, të arrestuar ose nën hetim.

Mësuesi

Por klasa ka edhe mësuesin. E.R., 63 vjeç, “studenti” më i vjetër i kësaj shkolle, i shoqëruar nga një listë aferash që opinioni publik nuk i ka harruar:

  1. Inceneratorët e Tiranës, Fierit dhe Elbasanit
  2. Tuneli i Llogarasë
  3. Tenderat e AKSHI-t
  4. Unaza e Madhe e Tiranës
  5. Rruga e Arbërit
  6. PPP-të
  7. 110 milionë euro për Becchetti-n
  8. Dëmshpërblimet nga Gjykata e Strasburgut
  9. Koncesioni i Check-up-it
  10. Koncesioni i sterilizimit
  11. Koncesioni i laboratorëve
  12. Hekurudha Tiranë–Durrës–Rinas
  13. Porti i Durrësit
  14. Koncerti i Kanye West
  15. Kayo dhe Timak Defense
  16. Smart City
  17. 120 milionë euro të falura Bankers Petroleum
  18. Air Albania e falimentuar
  19. Aeroporti i Vlorës, që rrezikon t’i kushtojë shtetit qindra milionë euro në arbitrazh
  20. Tigri 1 dhe Tigri 3
  21. Fondet IPARD
  22. “Kopshti i Edenit”, 4 milionë euro

Njëzet e dy afera, njëzet e dy pikëpyetje që asnjëherë nuk morën përgjigje. Nëse secila prej tyre do të kishte llogarinë e saj para drejtësisë, nuk do të mjaftonin as 350 vjet.

Një kryeministër me një “klasë” të tillë dhe me një “dëftesë” të tillë nuk ka asnjë autoritet moral për të kërcënuar studentët që i dalin përballë. Të rinjtë në shesh nuk kanë dosje në SPAK. Ministrat e tij kanë. Dhe në këtë shfaqje me një aktor të vetëm, perdja nuk do të bjerë nga duartrokitjet, por nga dosjet.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.