“Presidenti edhe mund të mos arrestohet”- Zëdhënësi i Metës i përgjigjet deputetes Felaj: Është një minë me sahat për…
Presidenti i Republikës, Ilir Meta i përgjigjet deklaratave të kryetares së komisionit të Ligjeve, Ermonela Felaj.
“Mungesa e vendosmërisë së hekurt revolucionare që shfaqi sot deputetja Ermonela Felaj, duke lënë një fije dyshimi që Presidenti i Republikës edhe mund të mos arrestohet, është një minë me sahat për “fitoren” përfundimtare të Reformës në Drejtësi!”, shkruan zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi.
Deputetja Felaj tha se KLGJ, në raportin që i ka dërguar Kuvendit, ka gjetur një sërë shkeljesh të Këshillit të Lartë të Drejtësisë (KLD), nën kryesimin e kreut të shtetit.
“Në raportin e Këshillit të Lartë të Gjyqësorit janë gjetur një sërë shkeljesh të bëra nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, të cilin e drejtonte Presidenti.”-tha Felaj në Top Channel.
E pyetur se nga këto gjetje, apo më tej nga shkelja e rëndë e Kushtetutës, do të ketë arrestim të Presidentit Meta, Ermonela Felaj u përgjigj: “Jo domosdoshmërish. Varet nga rasti që do të marrin në shqyrtim. Komisioni Hetimor do të raportojë nëse këto shkelje janë ose jo çështje penale”, deklaroi ajo.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



