Presidenti Meta uron Papa Françeskun
Ditën e djeshme Papa Françesku mbushi 7 vite në krye të Kishës Katolike, ndërsa Presidenti Meta e ka uruar me këtë rast.
Me anë të një postimi në rrjetet sociale Meta uron Papa Françeskun me rastin e 7 vjetorit Papnor, duke i shprehur urimet më të përzemërta dhe mirënjohjen për ndihmën ndaj Shqipërisë.
Presidenti thotë se shqiptarët i ruajnë ende mbresat nga vizita e Papës në Shqipëri, si dhe kujtojnë me dashuri mesazhet inkurajuese për rritjen e shpresës dhe besimit.
Ai falenderon Papa Françeskun edhe për mesazhet shpresëdhënënse në këto kohë me zhvillime dramatike, teksa thekson dëshirën për të forcuar edhe më tej lidhjet institucionale dhe shpirtërore mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë.
Postimi i Presidentit Meta:
Shenjtëria Juaj,
Papa Françesku,
Me rastin e 7-vjetorit Tuaj Papnor, kam kënaqësinë e veçantë që, në emrin tim dhe të popullit shqiptar, t’Ju përcjell urimet më të mira e të përzemërta, si dhe t’Ju uroj sukses të plotë në përmbushje të misionit Tuaj hyjnor.
Përfitoj nga rasti që, në këto ditë të veçanta, për mbarë botën dhe në veçanti për Italinë, Shqipërinë dhe shumë vende të tjera, të shpreh mirënjohjen e thellë për ndihmën dhe mbështetjen që, Shenjtëria Juaj dhe Kisha Katolike në Shqipëri, i kanë dhënë popullit shqiptar në kapërcimin e vështirësive shpirtërore, sociale e ekonomike.
Shqiptarët, pa dallim përkatësie fetare, i ruajnë ende të freskëta mbresat nga vizita Juaj në Shqipëri, si dhe i kujtojnë me dashuri mesazhet Tuaja inkurajuese për rritjen e shpresës dhe të besimit.
Në këto kohë, fatkeqësisht njerëzimi po përjeton zhvillime të shumta dramatike, por atij asnjëherë nuk i kanë munguar mesazhet shpresëdhënëse të Shenjtërisë Tuaj, për më shumë dashuri, bashkëpunim, mirënjohje, solidaritet e dhembshuri, si dhe për më shumë vëmendje dhe përgjegjshmëri.
Me dëshirën për t’i forcuar e pasuruar më tej lidhjet institucionale e shpirtërore, mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, ju lutem pranoni, Shenjtëria Juaj, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.
Zoti ju dhëntë shëndet të mirë dhe jetë të gjatë për të mirën e njerëzimit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



