Presidenti Zelensky del me thirrjen e fortë: Ky është shansi i vetëm për Rusinë
Në orët e para të së shtunës, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy publikoi një video-mesazh në të cilin i drejtohet Moskës se tani është koha për bisedime urgjente të paqes, duke paralajmëruar se humbjet ruse përndryshe do të jenë aq të mëdha sa do të duhen breza për t’u rikuperuar.

Ai tha se ky është shansi i vetëm për Rusinë që të zvogëlojë dëmin për gabimin e saj në pushtimin e Ukrainës.
“Ky është shansi i vetëm për Rusinë për të zvogëluar dëmin nga gabimi i saj”, tha Zelensky në një video të postuar.
“Është koha të takohemi, është koha të bisedojmë, është koha për të rivendosur integritetin territorial dhe drejtësinë për Ukrainën. Përndryshe, humbjet e Rusisë do të jenë të tilla që do t’iu duhen breza për t’u rikuperuar”, shtoi ai.
Nevojiten urgjentisht negociata “domethënëse, të ndershme”.
Zelenskiy iu drejtua Moskës: “Është koha për t’u takuar. Koha për të folur. Është koha për të rivendosur integritetin territorial dhe drejtësinë për Ukrainën. Përndryshe, humbjet e Rusisë do të jenë aq të mëdha sa që disa breza nuk do të mjaftojnë për t’u rikuperuar”.
“Negociatat për paqen, për sigurinë për ne, për Ukrainën – domethënëse, të ndershme dhe pa vonesë – janë shansi i vetëm për Rusinë që të zvogëlojë dëmin nga gabimet e veta”.
Këto komente ai i bëri teksa Rusia tha se ushtarët e saj kanë hyrë në qendër të qytetit të rrethuar ukrainas, Mariupol.
Përderisa luftimet e ashpra po vazhdojnë në mbarë vendin që prej se Rusia nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, të dy palët po mbajnë negociata online, por ende nuk është organizuar ndonjë takim midis dy presidentëve të shtetit.
Por, deri më tani rundet e bisedimeve kanë ofruar pak përparim dhe të dy palët fajësojnë njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit për evakuimin e civilëve.
Sipas zyrtarëve amerikanë të mbrojtjes, ofensiva ruse në masë të madhe ka ngecur dhe trupat ruse gjenden rreth 30 kilometra në lindje të kryeqytetit, Kiev, dhe po përballen me rezistencë të madhe.
Inteligjenca po ashtu ka shtuar se forcat ruse nuk kanë bërë ndonjë përparim të dukshëm as në qytetin verilindor të Harkivit, dhe se ukrainasit po vazhdojnë të mbrojnë qytetin verior të Çernihivit.
Zyrtarët e mbrojtjes së Britanisë ndërkaq kanë thënë se Rusia po ka vështirësi që t’u ofrojë trupave të saj “edhe gjërat më elementare, siç janë ushqimet dhe karburantet” për shkak të sulmeve ukrainase mbi linjat e tyre të furnizimit.
Rusia ka nisur pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Që atëherë, Moska është goditur me sanksione të ashpra ekonomike nga shtetet perëndimore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



