“Prestanomet” e Ergys Agasit po shesin kompanitë e milionave €
Hetimet për dosjen e AKSHI-t thellohen: në fokus rrjeti financiar dhe lëvizjet e dyshimta të kompanive
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit
Hetimet për dosjen e shumëpërfolur të AKSHI-t kanë hyrë në një fazë të re intensive, me zhvillime të dukshme si në planin hetimor, ashtu edhe në atë financiar.
Burime konfidenciale bëjnë me dije se disa prej personazheve kyç të skemës së dyshuar të korrupsionit janë marrë sërish në pyetje nga prokurorët e posaçëm të SPAK. Mes tyre ka qenë edhe Daniel Shima, ndërsa gjatë ditës së sotme është pyetur edhe një tjetër bashkëpunëtor i afërt i figurave qendrore të dosjes. Lëvizja sinjalizon se hetimi po thellohet në drejtim të rolit të rrjetit mbështetës dhe të lidhjeve financiare përtej emrave kryesorë.
Lëvizje të dyshimta në kompani të lidhura me dosjen
Paralelisht me zhvillimet hetimore, janë konstatuar edhe ndryshime të pazakonta në disa kompani të lidhura me persona që përmenden në dosje.
Sipas informacioneve të siguruara nga redaksia, këto struktura kanë nisur ndryshime pronësie dhe riorganizime të brendshme, të cilat dyshohet se kanë për qëllim reduktimin e ekspozimit financiar dhe shmangien e gjurmëve në transaksione.
Një dokument i siguruar tregon shitjen e aksioneve të një kompanie me xhiro disa milionë euro gjatë vitit 2025. Kompania rezulton të jetë transferuar te familjarë të pronarëve të mëparshëm, të njohur si “prestanome” të Ergys Agasit, kundrejt një vlere simbolike prej vetëm 30 mijë eurosh.
Transaksioni dyshohet të jetë kryer me urgjencë. Ndërkohë, kompania në fjalë ka pasur edhe penalitete administrative për vonesa në dorëzimin e bilancit financiar, çka shton dyshimet mbi motivin e lëvizjes së shpejtë të aksioneve.
Në analizë komunikime dhe transferta financiare
Mësohet se hetuesit po analizojnë komunikime dhe transferta të dyshuara mes personave të përfshirë, ndërsa verifikimet janë shtrirë edhe në lidhje të mundshme me struktura të tjera biznesi dhe kontakte institucionale.
Fokusi i hetimit duket se po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt ndjekjes së flukseve financiare dhe identifikimit të përfituesve realë të skemës së dyshuar. Burime pranë çështjes bëjnë me dije se mund të ketë hapa të tjerë proceduralë në vijim, përfshirë masa sigurie apo bllokime të mundshme pasurish, në varësi të provave që do të konsolidohen.
Procesi mbetet në zhvillim, ndërsa redaksia po vijon verifikimet për të publikuar një pasqyrë më të plotë dhe të detajuar të zhvillimeve të reja në dosjen e AKSHI-t.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



