Profesori i nohur:Siguria publike duhet të ngrihet në sistem
Profesori i njohur i çështjeve të sigurisë në vend ka folur mbi nevojat që ka rendi dhe siguria publike për t‘u ngritur në sistem e madje që të gjithë të jenë aktorë me peshë dhe që askush të mos vetpërjashtohet.
Një këndvështrimin e tij hasen mënyra dhe ide se si mund të përmirësohet rendi nëpërmjet policimit dhe ndërveprimeve të një sërë institucioneve.
Përshëndetje profesor, çfarë mund të na thoni për rregullin dhe sigurinë me rastin e ndeshjes së futbollit midis dy ekipeve nga Italia dhe Holanda?
Në vlerësimin tim, rendi dhe siguria në këtë eveniment sportiv ndërkombëtar u përballua me sukses. Policia e Shtetit, që mbajti barrën kryesore dhe gjithë shërbimet e tjera publike, tregoi profesionalizëm dhe meritojnë falënderim. Nuk është e lehtë të menaxhosh veprimtari të përmasave të tilla me grupe tifozësh të dhunshëm. Besoj se organet dhe autoritetet përgjegjëse do të nxjerrin mësime për të ardhmen.
Përse siguria është në qendër të vëmendjes së politikës, medias, ndërkombëtarëve, shoqërisë dhe qytetarëve?
Ne jetojmë në një botë ku njerëzit dhe siguria e tyre janë të lidhura ngushtë midis tyre. Për shkak të problematikës që paraqet, siguria ka ngjallur interes të veçantë në kontekstin individual e social, ekonomik, politik, ushtarak, juridik etj., e për rrjedhojë, është shndërruar në një prioritet për politikën globale e atë kombëtare dhe një problem i shtruar për zgjidhje.
Siguria publike lidhet me shkallën (nivelin) e mbrojtjes e garantimit të lirive e të drejtave themelore të njeriut nga ngjarje e burime të ndryshme të rrezikut. Ajo përfshin (përkëmbehet) me atë individuale, të brendshme, të komunitetit, njerëzore etj.; dhe si e tillë, ndikon në cilësinë e jetës së qytetarëve, ndaj dhe është e diskutueshme në mjedisin ku jetojmë.
Strategjia e Sigurisë në Komunitet (2021-2026) e shtrin përgjegjësinë për sigurinë përtej Policisë së shtetit, pra për gjithë aktorët shtetëroë e shoqërorë; por në veprimtarinë praktike të organeve e shërbimeve publike, vërehet njëanshmëri e sektorializëm, çka ndikon edhe në nivelin e sigurisë, që qytetarët e ndjejnë për ditë.
Rreth politikave në fushën e sigurisë publike, lindin shumë pyetje, por le të veçojmë një prej tyre. A mund të ndryshohen standardet e sigurisë vetëm me ngritjen e një organizmi këshillues (KVSP) në nivelin vendor? Vështirë. Mendoj se duhet konsideruar i gjithë sistemi, që ka të bëjë me kuptimin mbi sigurinë publike; ndërtimin e sistemit të sigurisë dhe veprimin e mekanizmave përgjegjës.
Për sigurinë publike ka konfuzion, sepse bëhen vlerësime të ndryshme. Si qëndron problemi? Kë duhet të besojmë?
Është e vërtetë, ka një diferencë midis raportimit të organeve shtetërore dhe atyre që jep një pjesë e medias, e cila krijon konfuzion dhe qytetarëve u duhet të gjejnë vetë të vërtetën. Vlerësimi është i ndryshëm, për shkak të kuptimit, por dhe interesave e qëllimit që kanë aktorët e mjedisit. Në jetën e përditshme dallojmë:
1.Klasifikimin juridiko-penal të veprave që bën Kodi Penal, i cili përdoret.
Në kuptimin e ngushtë, që bazohet në objektin e marrëdhënieve shoqërore që mbrohen. Këto vepra quhen “Veprat penale kundër rendit e sigurisë publike” dhe përfshijnë: veprat për prodhim e mbajtje armësh, ato kundër drogës, shkelje e rregullave në punë, aksidentet, shkelja e rregullave në qarkullimin rrugor, organizimi dhe pjesëmarrje e kundërligjshme në tubime, dhënia e informacionit të rremë për ekipet e urgjencës apo organeve të rendit, largimi nga vendi i aksidentit, aktet e dhunshme në veprimtari sportive, nxitje për vetëgjyqësi etj. Këto vepra zënë vendin e parë në vëllimin e përgjithshëm të kriminalitetit ose 1/3 e tij.
Në kuptimin e gjerë, i cili bazohet në anën objektive, pra mekanizmin e kryerjes së veprave penale dhe pasojat e shkaktuara. Ky kriter vlerësimi, bazohet në viktimizimin që bën i gjithë kriminaliteti, sipas deklaratës së OKB-së (Mbi parimet bazë të drejtësisë për viktimat e krimit dhe shpërdorimit të pushtetit). Treguesit e kriminalitetit dhe viktimitetit të shkaktuar prej tij, identifikohen me treguesit e sigurisë. Bazuar në këtë kriter, organet shtetërorë aktualisht bëjnë vlerësimin e sigurisë publike, e për rrjedhojë, adresojnë edhe përgjegjësinë te Policia e shtetit.
- Klasifikimin mbi bazën e ngjarjeve e pasojave të shkaktuara (viktimizimit) nga burime (bartës) të ndryshme të rrezikut.
Ky kriter vlerësimi bazohet në konceptin e gjerë që afron viktimologjia e përgjithshme, e cila përfshin të gjitha ngjarjet dhe pasojat e shkaktuara nga veprimet e njeriut (kriminaliteti, përfshirë dhe abuzimin me pushtetin); si dhe nga fatkeqësitë e ndryshme aksidentale apo natyrore, epidemitë, vetëvrasjet, drogat, AIDS-it, ato ekologjike etj., pavarësisht nga klasifikimi ligjor.
Vlerësimi i sigurisë sipas kriterit juridiko-penal të veprave është i njëanshëm, sepse konsideron vetëm krimin si burim rreziku dhe ndikon negativisht në politikat e zhvillimit të sigurisë publike; ndërsa vlerësimi sipas kriterit të dytë, është më i plotë sepse konsideron të gjitha burimet e rrezikut e pasojat, diagnostikon realisht gjendjen e shkaqet dhe zhvillon politika më efikase për garantimin e sigurisë.
Cilat janë standardet e sigurisë në kushtet që kalojmë?
Kjo pyetje kërkon të dhëna zyrtare të unifikuara për të gjitha elementet (bartësit) e rrezikut e pasojat e shkaktuara, si dhe vlerësim (anketim) të opinionit publik për këtë problem; pra unë e kam të vështirë të jap përgjigje të plotë. Siguria në raport me viktimitetin e shkaktuar nga krimi për vitin 2021 (sipas INSTAT) shënon ulje (përmirësim). Të tërheq vëmendjen raporti 3/1 midis krimit dhe kundërvajtjes penale, çka flet për rrezikshmëri të lartë të krimit; si dhe rritja e shifrave të dhunës në familje, aksidenteve në qarkullimin rrugor, krimeve në fushën e drogës, autoritetit të shtetit e sigurisë etj.
Për ta bërë të plotë vlerësimin mbi sigurinë individuale e atë publike, duhet të shtojmë edhe pasojat (dëmet) e shkaktuara nga burimet (bartësit) e tjerë të rrezikut, pra fatkeqësitë e ndryshme aksidentale apo natyrore, epidemitë, vetëvrasjet, drogat, AIDS-it, ato ekologjike etj., dhe pse jo edhe dëmet e shkaktuara nga mosmarrja e shërbimeve të duhura publike, përfshirë edhe atë të dhënies së drejtësisë. Nëse do të administroheshin këto në nivel kombëtar, gjendja e sigurisë do të dalë më e rënduar.
Për rrjedhojë duhet të pohojmë se identifikimi i sigurisë vetëm me treguesit (pasojat) e krimit dhe përgjegjësisë vetëm te Policia e Shtetit nuk është i plotë dhe si i tillë, nuk e zgjidh problemin; ndaj organet shtetërore përgjegjëse sipas hierarkisë, duhet të administrojnë, analizojnë e vlerësojnë në nivelin strategjik, treguesit e unifikuar nga të gjitha burimet e rrezikut dhe, mbi këtë bazë, të marrin vendime e të zhvillojnë politika për ndryshim të gjendjes.
Cilat janë organet dhe autoritetet shtetërore, përgjegjëse për sigurinë publike?
Nisur nga statusi dhe përgjegjësitë e ngarkuara, aktorët përgjegjës (shtetërorë, privatë e shoqërorë) përbëjnë një sistem, të lidhur midis tyre në formën e rrathëve, si më poshtë:
I pari – Organet e pushtetit dhe administratës publike. Janë të organizuar nga niveli qendror deri në atë vendor dhe përgjigjen për politikat e zhvillimit të sigurisë; afrimin e shërbimeve, përfshirë dhe të mbajtjes së rregullit e sigurisë publike, në funksion të mbrojtjes të të drejtave të qytetarëve dhe mirëqenës së tyre. Ndër to duhen veçuar, përgjegjësia dhe roli i Kuvendit; Presidentit; Këshillit të Ministrave dhe Kryeministrit; Ministrisë së Brendshme dhe ministrit përgjegjës; organeve të qeverisjes vendore, me prefektin, këshillat e qarqeve; bashkitë, këshillat bashkiakë etj.
I dyti – Organet shtetërore të specializuara. Janë pjesë e administratës shtetërore, që formojnë një sistem unik të policimit; realizojnë shërbime për të parandaluar shkeljet ligjore, ekzekutuar ligjin dhe mbrojtur rendin publik. Nisur nga përgjegjësitë dhe pushteti (kompetencat) që ushtrojnë, këto mund t’i ndajmë në Polici administrative (Inspektoratet e ndryshme, policia bashkiake, agjencia e mbrojtjes civile, agjenci të tjera ligjzbatuse); Polici e sigurisë (Policia e Shtetit, e Burgjeve, shërbimi i mbrojtjes e shpëtimit nga zjarri) etj. dhe Polici gjyqësore (Policia e Shtetit dhe institucione të tjera të ngarkuara nga ligji).
Parë veças rolin dhe kontributin e këtyre institucioneve të specializuara, mund të arrish në vlerësime pozitive, për shkak të shifrave që ato paraqesin; por vlerësuar në kompleks si sistem policimi, produkti i tyre në fushën e sigurisë nuk është ai i dëshiruar.
Ju evidentoni si aktor përgjegjës edhe sipërmarrjen private, shoqërinë, qytetarët; ç’lidhje ka kjo me sigurinë?
Ka shumë. Sipërmarrja private, shoqëria dhe qytetarët, janë aktorë dhe faktorë për sigurinë. Ata janë shumë të interesuar për sigurinë; sa më e lartë të jetë ajo, aq më shumë përfitojnë e gëzojnë ata. Pa përfshirjen e tyre në zhvillimin e shërbimeve e standardeve të sigurisë dhe qeverisjes në përgjithësi, është e pamundur të garantohen siguria individuale e ajo publike.
Ndaj gjithë sipërmarrja, media, shoqëria me organizmat e saj dhe vetë qytetarët duhet të angazhohen në zhvillimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore. Rol të veçantë kanë shoqëritë e sigurisë private, organizmat e ndryshme si institute, organizata, shoqata, klube etj., të ngritura nga qytetarët, të pavarura nga shteti që punojnë me projekte konkrete për të drejtat e liritë e njeriut, problemet ekonomike, kulturore, shëndetësore, shkencore; për shtresa, mosha apo grupe të caktuara të shoqërisë.
Roli dhe kontributi i sipërmarrjes private dhe qytetarëve në fushën e sigurisë është i madh e pazëvendësueshëm, por duhet pranuar se këtij faktori i mungon vlerësimi, mbështetja, adresimi dhe koordinimi me aktorët e tjerë shtetërorë e shoqërorë. Formalizmi i pjesëmarrjes në problemet e qeverisjes të sigurisë dhe transparenca e ulët, çon në shmangie, pasivitet e mos mbështetje të qeverisjes në punën e saj.
Cili është roli i sistemit të drejtësisë në fushën e sigurisë?
Sistemi i drejtësisë përbën një komponent të rëndësishëm për mbrojtjen dhe garantimin e sigurisë. Ai vërtet është pushtet i veçantë e i pavarur, por me shërbimin që afron, kontribuon pozitivisht ose negativisht për sigurinë individuale e atë publike. Reforma e zgjatur në sistemin e drejtësisë, ka ulur ndjeshëm kapacitetet dhe cilësinë e sistemit te drejtësisë; për rrjedhojë, korrupsioni brenda gjyqësorit dhe vonesat në gjykimin e çështjeve të ndryshme kanë krijuar pasiguri e dëmtuar rëndë besimin në organet e drejtësisë.
Secili nga komponentët e mësipërm përfshin në vetvete një sërë aktorësh me përgjegjësi e kompetenca dhe, si të tillë, janë faktorë që ndikojnë për mirë ose keq në nivelin e sigurisë. Kush pretendon se ka vetëm të drejta dhe duhet të jetë vetëm konsumator i sigurisë, e ka gabim sepse me heshtjen/pasivitetin/abuzimin në detyrë apo shkeljet e ligjit, dëmton sigurinë publike përfshirë dhe të drejtat e tij.
Në vlerësimin tuaj, ku qëndron defekti për sistemin e organeve shtetërore?
Nuk është e lehtë t`i përgjigjesh kësaj pyetje, sepse duhet bërë studim dhe analizë e veçantë. Duke vlerësuar faktorët dhe burimet e ndryshme të rrezikut, të cilat janë komplekse, vetvetiu mendimi të shkon te sistemi i sigurisë publike dhe eficenca e politikave që ndiqen. Në këtë kontekst, ndikojnë mënyra e kompozimit të sistemit të organeve e autoriteteve përgjegjëse nga niveli qendror deri në atë vendor; burimet në dispozicion dhe mënyra e menaxhimit të tyre, funksionimi i administratës e shërbimeve publike, standardet dhe eficenca e organeve të specializuara etj.
Me gjithë arritjet që ka vendi në fushën e sigurisë, mekanizmat e sistemit në 30 vitet e fundit janë konceptuar, planizuar dhe menaxhuar në mënyrë të fragmentizuar (sektoriale), ku çdo institucion, sipas fushës e përgjegjësive të ngarkuara, vepron më vete. Kjo ka bërë që eficenca e mekanizmave shtetërore dhe politikave të ndjekura të mos u përgjigjet plotësisht objektivave të përcaktuara dhe pritshmërisë së opinionit publik.
Doemos që brenda sistemit të sigurisë, kanë rol të veçantë Policia e Shtetit dhe agjencitë e tjera ligjzbatuse, të cilat mbajnë përgjegjësi për parandalimin e shkeljeve ligjore, ngjarjeve e krimeve, përgjigjen ndaj thirrjeve të qytetarëve për ndihmë dhe zbulimin e krimit; por kjo kurrsesi e vetme; duhet bashkë me organet e mekanizmat e tjerë që përbëjnë sistemin.
Bazuar në filozofinë e bashkëqeverisjes dhe gjithëpërfshirjes, detyrimet ligjore dhe programet e miratuara; organet shtetërore në nivelin qendror e vendor, duhet të analizojnë/vlerësojnë dhe planifikojnë masat për ndryshimin e produktivitetit të shërbimeve ndaj qytetarëve dhe sigurisë publike në nivel strategjik. Ideja se janë miratuar ligjet, programet, organet i dinë vetë punët etj. Qëndrimet për të mos marrë përgjegjësi ndikojnë negativisht në veprimtarinë e organeve e shërbimeve publike, përfshirë edhe ato të sigurisë.
Çfarë duhet ndryshuar në sistemin dhe politikën e qeverisjes për sigurinë?
Rritja e kapaciteteve në fushën e sigurisë, kërkon: krijimin e një sensi urgjence, që organet shtetërore dhe shoqëria të shmangin ambientimin, adresojnë dhe kapërcejnë pengesat kryesore; zhvillimin e institucioneve të sektorit të sigurisë; menaxhimin eficient të organeve e aktorëve të tjerë; forcimin e transparencës dhe marrëdhënieve me shoqërinë civile, sipërmarrjen e qytetarët dhe ngritjen e rrjetit monitorues të sigurisë, me studiues që mund të kontribuojnë në sektorin e sigurisë. Ndër alternativat e zhvillimit, evidentoj:
- a) Përfundimin sa më shpejt të reformës në administratën publike; sistemin e policimit, agjencitë ligjzbatuse dhe sistemin e drejtësisë.
Qëllimi është për të thjeshtuar administratën e organeve shtetërore; rritur profesionalizmin dhe stabilizuar funksionimin ndërinstitucional, vertikalisht dhe horizontalisht. Kjo kërkon përfundimin e reformës në administratë dhe organet e specializuara të mbrojtjes së ligjit e luftës kundër krimit; pra, fjala është për përfundimin e vetingut në sistemin e policimit dhe atë të drejtësisë, i cili ka vite që vazhdon dhe, si i tillë, është kthyer në faktor pengues. Në ndryshim nga vlerësimet që e quajnë reformën në Policinë e Shtetit të përfunduar, unë kam mendimin se mjaft probleme që lidhen me zhvillimin e standardeve dhe demokratizimin e organizatës së Policisë janë interpretuar e zbatuar gabim dhe duhen korrigjuar. Për këtë do të shprehem një herë tjetër.
- b) Rivlerësimin e sigurisë duke konsideruar të gjitha burimet e rrezikut dhe kolaudimin e sistemit të organeve e autoriteteve përgjegjëse.
Sistemi i sigurisë publike duhet të ndërtohet e të funksionojë i unifikuar, duke vepruar në mënyrë të përgjegjshme e kontrollueshme në bashkëpunim me komunitetin. Kjo kërkon të vendosen në rolin e vetë të gjitha organet e larta si Kuvendi, Presidenti, Këshilli i Ministrave e ministritë me organizmat e tyre ndihmëse (kolegjiale) dhe komitetet ndërministrore, të cilat janë pasive dhe veçanërisht përcaktohen qartë organet dhe autoritetet përgjegjëse në nivelin vendor, duke ngritur organizma kolegjiale (komitete të sigurisë vendore).
Riorganizimi i sistemit të sigurisë publike, kërkon:
– Rregullimin e kuadrit ligjor, si: miratimin e ligjit të ri mbi “Organet dhe Autoritetet e sigurisë publike”, i cili mungon dhe do të unifikojë sistemin, si dhe ndryshime e plotësime në disa ligje ekzistuese, siç është ai për policinë bashkiake, i cili ka objekt të dyfishtë, rregullin e qetësinë publike, vetëqeverisjen vendore, prefektin, Policinë e Shtetit, policitë e agjencitë e tjera ligjzbatuse, administratën shtetërore dhe ligjet e tjera, mbrojtjen civile, armët, lëndët e substancat e tjera të rrezikshme, biznesin etj.
– Përforcimin e organeve dhe autoriteteve të sigurisë vendore dhe njëherësh ngritjen e komiteteve të sigurisë publike, duke u dhënë pushtetin e duhur.
– Ndryshimin e vartësisë të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, duke e kaluar nën vartësinë e Ministrisë së Brendshme ose të Këshillit të Ministrave.
– Ngritjen e Komitetit (agjencisë) të Sigurisë Kombëtare, i cili është një nevojë emergjente për të organizuar veprimtarinë nga një qendër e unifikuar, e cila do të vlerësojë informacionin e kërcënimet; peshojë skenarët e vendimmarrjes, si dhe kapacitetet operacionale e ato të koordinimit midis agjencive.
ASK do të luajë një rol thelbësor në formulimin e Strategjisë së Sigurisë Kombëtare; asaj të sigurisë publike e të tjera të nivelit strategjik; përgatitjen e paketës ligjore, monitorimin e realizimit të objektivave sipas detyrimeve ndërinstitucionale dhe, njëherësh, do t’i sigurojë ekzekutivit/Kryeministrit dhe autoriteteve të larta shtetërore, “pamje në kohë reale dhe të integruar për peshën e kërcënimeve dhe vendimmarrjet që duhen marrë”.
- c) Shtimi i investimeve për sigurinë dhe dhënia prioritet politikave të parandalimit social;
Fjala është që në zbatim të filozofisë së bashkëqeverisjes e gjithëpërfshirjes, të përshtaten programet dhe zhvillohen politikat qeverisëse në fushën e sigurisë, duke iu përgjigjur veçorive dhe nevojave që ka mjedisi; vendosur si prioritet rritjen e shërbimeve parandaluese dhe jetësimin e policimit në komunitet; në vend të rritjes së shifrave të ndëshkimeve administrative e penale.
Ndryshimi i kësaj qasjeje, doemos që duhet shoqëruar me investime në fushën e sigurisë; strukturat e pushtetit vendor, ato të policimit në komunitet e të tjera organizma shoqërore, si dhe në trajtimin e punonjësve që punojnë në këtë fushë. Për t’u shtuar burimet e investimit, krahas të tjerash duhet vlerësuar sekuestrimi dhe konfiskimi i pasurisë së botës së krimit të organizuar e korrupsionit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



