E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Protestat/ Spiropali shpërthen ndaj Ramës: Fitorja s’është pronësi!
Lajme

Protestat/ Spiropali shpërthen ndaj Ramës: Fitorja s’është pronësi!

Në një moment të tensionuar politik, teksa protestat kundër qeverisë kanë hyrë në ditën e shtatë radhazi, nga brenda radhëve të Partisë Socialiste vjen një mesazh që lexohet si reflektim i drejtpërdrejtë për mënyrën e ushtrimit të pushtetit.

Deputetja Elisa Spiropali ka reaguar publikisht, duke ofruar një qasje ndryshe nga ajo e kryeministrit Edi Rama, i cili ditët e fundit ka theksuar se qeveria ka legjitimitetin e rreth 800 mijë votave të shqiptarëve.

Në një postim të gjatë në rrjetet sociale, Spiropali nënvizon se fitorja elektorale nuk duhet të konsiderohet pronë e askujt dhe se rotacioni politik është një element normal dhe i domosdoshëm i demokracisë funksionale.

“Ka nevojë për një kulturë politike ku rotacioni nuk shihet si katastrofë dhe fitorja nuk shihet si pronësi”, shprehet ajo ndër të tjera.

Në reflektimin e saj, deputetja shkon përtej situatës aktuale politike, duke artikuluar nevojën për një “marrëveshje të re” për Shqipërinë, ku theksi vendoset te kufizimi i pushtetit dhe forcimi i institucioneve.

Sipas saj, vendi nuk përballet më me mungesën e shtetit, por me një sfidë të re: balancimin e pushtetit me mekanizmat e kontrollit demokratik. Ajo thekson se institucionet ekzistojnë, administrata funksionon dhe ekonomia është më e fortë se në të kaluarën, por sfida qëndron në vendosjen e kufijve ndaj vetë pushtetit.

Spiropali paralajmëron për rrezikun kur pushteti rritet më shpejt se kontrolli mbi të, duke theksuar se demokracia dobësohet nëse mekanizmat mbikëqyrës nuk funksionojnë siç duhet.

Në këtë kontekst, ajo vë në dukje rëndësinë e opozitës, duke e cilësuar atë si një element thelbësor të sistemit dhe jo si pengesë për zhvillimin. Sipas saj, një shoqëri demokratike nuk matet vetëm nga qeveria që ka, por edhe nga opozita që prodhon.

Një tjetër pikë kyçe e mesazhit lidhet me nevojën për më shumë garë politike dhe një sistem zgjedhor që garanton përfaqësim real, ku vota e qytetarëve ndikon në ekuilibrat e pushtetit dhe nuk mbetet thjesht statistikë.

Deputetja ndalet gjithashtu te roli i medias së lirë, duke theksuar se nuk mund të ketë demokraci të fortë pa informacion të pavarur dhe pa gazetarë që ushtrojnë profesionin pa presion.

Në analizën e saj për ekonominë, Spiropali argumenton se e ardhmja nuk i përket atyre që kanë më shumë lidhje me pushtetin, por atyre që kanë dije, teknologji dhe ide, duke kërkuar një model zhvillimi që shpërblen meritën dhe jo privilegjin.

Ajo i kushton rëndësi të veçantë edhe rinisë, duke paralajmëruar për pasojat e largimit të të rinjve nga vendi, si dhe për nevojën që Shqipëria të krijojë kushte ku talenti dhe puna të kenë më shumë vlerë se lidhjet politike.

Në fund, Spiropali ndalet edhe te lufta kundër korrupsionit, duke e cilësuar atë si një betejë jo vetëm ligjore, por edhe morale, që lidhet me mënyrën se si funksionon shteti dhe si perceptohet ligji në shoqëri.

Mesazhi i saj vjen në një kohë kur kryeministri Edi Rama ka mbrojtur legjitimitetin e qeverisë përmes rezultatit zgjedhor, ndërsa protestat janë shtrirë në disa qytete brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke e bërë këtë reagim edhe më domethënës në skenën politike aktuale.

Reagimi i Elisa Spiropalit:

Çdo epokë ka pyetjen e vet themelore. Për shumë vite pyetja e Shqipërisë ishte si të ndërtonte shtetin. Sot pyetja është tjetër. Si ta bëjë shtetin më të madh se pushteti dhe Institucionin më të fortë se ai që e ushtron pushtetin. Pikërisht këtu fillon nevoja për një marrëveshje të re për Shqipërinë.

Shqipëria ka hyrë tashmë në një fazë të historisë së saj ku sfida më e madhe nuk është më ndërtimi i pushtetit. Pushteti është ndërtuar. Institucionet ekzistojnë. Administrata ekziston. Ligjet ekzistojnë. Ekonomia është më e fortë se dikur. Demokracia është më e konsoliduar se në vitet e para të tranzicionit. Shqipëria e ka rritur reputacionin e saj në botë dhe duhet ta mbrojë me çdo kusht emrin e saj. Sfida e kohës sonë është diçka tjetër.

Është aftësia e pushetit për të vendosur kufij brenda vetvetes. Për më tepër se tridhjetë vjet Shqipëria ka jetuar me ankthin e mungesës. Mungonin institucionet. Mungonin rrugët. Mungonin investimet. Mungonte siguria. Mungonte shteti. Breza të tërë u rritën me bindjen se problemi kryesor i vendit ishte, në mos mungesa e shtetit, dobësia e shtetit.

Sot për herë të parë po përballemi me një pyetje tjetër. Çfarë ndodh kur pushteti bëhet më i fortë se mekanizmat e po atij shteti që duhet ta kontrollojnë. Çfarë ndodh kur problemet e administratës shtohen më shpejt se llogaridhënia. Çfarë ndodh kur stabiliteti fillon të ngatërrohet me shkaqe dhe pasoja pa lidhje, të pa adresuara.
Kjo është arsyeja pse Shqipëria ka nevojë për një marrëveshje të re me vetveten. Një marrëveshje ku forca e shtetit të mos matet vetëm nga ajo që ndërton, por edhe nga pakësimi i aftësisë për të kontrolluar, ose ajo që me vetdijë pranon të mos kontrollojë. Një marrëveshje ku institucionet që mbikëqyrin pushtetin të jenë po aq, dhe më të afta se vetë pushteti.

Një marrëveshje ku parlamenti të mos jetë vetëm vendi ku miratohen vendime, por vendi ku dëgjohet shoqëria.
Një marrëveshje ku republika parlamentare të ushtrojë të gjitha funksionet e saj përfaqësuese, kontrolluese dhe monitoruese, sepse demokracia dobësohet sa herë që një pushtet rritet më shpejt se kontrolli mbi të.

Në zemër të kësaj marrëveshjeje qëndron një ide e thjeshtë. Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk është nën ligjin. Të tre pushtetet duhet të qëndrojnë brenda kufijve të tyre kushtetues. Drejtësia duhet të ketë forcën të hetojë dhe gjykojë. Parlamenti duhet të ketë forcën të kontrollojë. Qeveria duhet të ketë forcën të qeverisë. Por asnjëri nuk duhet të marrë pushtetin e tjetrit. Sepse aty fillon deformimi i shtetit.

Një shoqëri demokratike nuk matet vetëm nga qeveria që ka. Matet edhe nga opozita që prodhon. Opozita nuk është aksident i sistemit. Nuk është pengesë për zhvillimin. Nuk është problem për stabilitetin. Opozita është shqisa që paralajmëron kur pushteti humbet kontaktin me realitetin. Shoqëritë që humbin opozitarizmin nuk humbin vetëm debatin. Humbin aftësinë për të korrigjuar vetveten.

Prandaj Shqipëria ka nevojë për më shumë garë, dhe jo për më pak. Ka nevojë për një sistem të ri zgjedhor që prodhon përfaqësim real dhe jo vetëm riprodhim të elitave ekzistuese. Ka nevojë për zgjedhje ku qytetari të ndjejë se vota e tij ndryshon ekuilibrat, dhe jo vetëm statistikat. Ka nevojë për një kulturë politike ku rotacioni nuk shihet si katastrofë dhe fitorja nuk shihet si pronësi.

Po aq e rëndësishme është liria e medias. Sepse nuk ka demokraci të fortë me media të pabesueshme. Nuk ka qytetar të lirë pa informacion të lirë. Nuk ka kontroll mbi pushtetin kur informacioni bëhet i varur nga pushteti ose dezinformimi. Shqipërisë i duhet një hapësirë publike ku gazetari të mos ketë nevojë për leje për të pyetur dhe ku media të mos ketë nevojë për favore për të mbijetuar.

Në të njëjtën mënyrë duhet të ndryshojë edhe marrëdhënia mes ekonomisë dhe politikës. Vitet e ardhshme nuk do të fitohen nga ai që ka më shumë asete. Do të fitohen nga ai që ka më shumë dije. Nga ai që ka më shumë teknologji. Nga ai që ka më shumë ide. Shqipëria nuk mund të mbetet një vend ku afërsia me pushtetin vlen më shumë se aftësia për të krijuar vlerë. Një ekonomi moderne fillon në momentin kur fiton ai që prodhon më mirë e më lirë, dhe jo ai që favorizohet nga pushteti.

Kjo lidhet drejtpërdrejt me brezin e ri. Shqipëria nuk ka më luksin të humbasë njerëzit e saj më të aftë. Gara, merita, mundësia, dhe jo kontrolli, janë thelbi i ndryshimit. Çdo i ri që largohet nuk merr me vete vetëm një vend pune. Merr me vete energji, dije, kreativitet dhe të ardhme. Vendi ka nevojë të krijojë kushte që mendja, puna dhe talenti të kenë më shumë vlerë se lidhja, ndërhyrja, inventarizimi apo privilegji.
Po aq vendimtare është cilësia e shërbimeve publike. Arsimi nuk mund të vazhdojë të trajtohet si sektor administrativ. Ai është fabrika ku prodhohet e ardhmja e vendit. Ai është thelbi i gjithçkaje që na rrethon, në të tashmen dhe në të ardhmen. Shëndetësia nuk mund të matet vetëm me shifrat e investimeve, godina, mjete etj.

Ajo matet me sigurinë që ndien qytetari kur ka nevojë për të. Një shtet modern nuk ndërtohet vetëm me llaç e tulla. Ndërtohet me dije, shëndet, besim dhe dinjitet.
Pikërisht këtu fillon edhe beteja kundër korrupsionit. Jo vetëm në sallat e gjyqeve. Jo vetëm në dosjet hetimore. Por në kulturën e përditshme të shtetit. Korrupsioni është bindja e ngulitur se rregulli mund të anashkalohet pa pasoja. Se ligji mund të negociohet.

Se pushteti mund të përdoret si privilegj. Se abuzimi mund të normalizohet dhe të glorifikohet. Lufta kundër tij është mbi të gjitha një betejë morale për mënyrën si e kuptojmë shtetin.

Shqipëria ka hyrë në një moment ku nuk i duhet të provojë se dëshiron të ecë përpara. Këtë e ka dëshmuar. Ka nevojë të tregojë se di të ndërtojë një shtet që funksionon edhe kur pushteti ndryshon, edhe kur interesat përplasen, edhe kur askush nuk e vëren.

Një vend nuk bëhet europian kur bind të tjerët për atë që europian është. Bëhet europian kur qytetarët e tij ndihen të mbrojtur nga e drejta, të respektuar nga shteti, të lirë për të ndërtuar jetën e tyre pa kërkuar leje nga askush.

Kjo është marrëveshja e re të cilën Shqipëria duhet ta realizojë brenda vetes.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.