Protestuesit rrethojnë bashkinë e Beogradit, policia u përgjigjet me gaz lotsjellës
Policia në Serbi ka hedhur gaz lotsjellës për të parandaluar qindra mbështetës të opozitës që të hynin në godinën e bashkisë së Beogradit në shenjë proteste ndaj asaj që vëzhguesit e zgjedhjeve thanë se ishin parregullsi të procesit të votimit gjatë zgjedhjeve fundjavën e kaluar.
Autoritetet kanë mohuar manipulimin e votave, ndërsa Presidenti Aleksandar Vuçiç tha të dielën se këto pretendime ishin “gënjeshtra” të promovuara nga opozita.
Vuçiç: Nuk do të ndodhë revolucioni!
Policia e Beogradit hodhi gaz lotsjellës ndërsa qindra protestues të opozitës thyen xhamat në hyrje të ndërtesës në qendër të qytetit.
Protestuesit thërrisnin “Hapeni derën” dhe “Hajdutë”, ndërsa goditën me vezë bashkinë. Disa brohoritën “Vuçiç është Putin”, duke e krahasuar presidentin serb me atë rus. Sakaq, nuk pati raportime për të lënduar në mesin e protestuesve.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka reaguar pas protestës masive para bashkisë së Beogradit duke u bërë thirrje qytetarëve që të mos shqetësohen.
“Asnjë revolucion nuk është në progres, asgjë nuk do të ketë sukses. Ne do të përpiqemi të mos lëndojmë askënd me një reagim të butë dhe të qetë”, tha ai.
“Disa treguan fytyrën e tyre sonte, dhe se dhuna është mënyra e tyre e vetme për të luftuar. Prej ditësh kemi thënë se po përgatiten për këtë, sepse e dinë se nuk mund ta fitojnë besimin e popullit”, theksoi Vuçiç duke iu referuar opozitës serbe.
Ai shtoi se “ata që betohen për të luftuar dhunën kanë treguar se janë ngacmuesit e vërtetë. Ata duan të shkatërrojnë qytetet dhe vendin tonë”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



