E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pse Balluku dhe Vis Berberi përdorin Blackbarry, telefonin e të fortëve?
Flash

Pse Balluku dhe Vis Berberi përdorin Blackbarry, telefonin e të fortëve?

Edhe në kohën e smartfonëve më të fundit, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku dhe ish-drejtori i ARRSH-së, Vis Berberi, preferojnë një telefon “old school”: BlackBerry-n.

Mësohet se të dy zyrtarët përdorin ende këtë pajisje, e njohur për sistemin e saj të koduar të komunikimit, duke ngritur pikëpyetje mbi arsyet pse zgjidhet pikërisht një telefon që përdorej dikur nga politikanë e biznesmenë për komunikime të sigurta.

Por çfarë fshihet pas këtij “vesi teknologjik” dhe si lidhet me hetimet e SPAK-ut?

Emisioni “Në Shënjestër”, me autore gazetaren Klodiana Lala, trajtoi këtë të martë rrugëtimin politik të zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila aktualisht është nën hetim nga SPAK për disa kallëzime penale të depozituara nga opozita.

Një nga çështjet kryesore që po hetohen lidhet me tenderin për ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, pjesë e aksit Orikum–Himarë, një nga projektet më të kushtueshme publike në vend, me fond limit 190 milionë euro.

Tenderi i parë i anuluar

Sipas dokumenteve hetimore të siguruara nga emisioni, tenderi u anulua pavarësisht se kishte në garë gjashtë kompani dhe oferta më e ulët ishte ajo e “Gjoka Construksion” me 140 milionë euro. Ministria e Infrastrukturës i konsideroi të gjitha ofertat “të papërshtatshme” dhe anuloi procedurën.

Rihapja e garës dhe kompania “fantazmë”

Vetëm katër muaj më pas, më 26 qershor 2021, ministria rihapi garën për të njëjtin projekt. Hetuesit dyshojnë se kjo lëvizje u bë për t’i hapur rrugë një kompanie turke të krijuar posaçërisht për këtë tender, me kapital minimal prej vetëm 1.000 lekësh, e cila në fakt shërben si mbulesë për “Gjoka Construksion”. Punimet në terren i kryen vetë kompania shqiptare, si nënkontraktore, me logon e saj të dukshme në mjetet e tonazhit të rëndë.

Lidhjet e ngushta dhe pazaret e fshehta

Në qendër të hetimeve ndodhet edhe Vis Berberi, një nga njerëzit më të afërt të Ballukut. Ai dyshohet se ka orientuar përfaqësues të kompanisë holandeze “Hill International N.V” për të bashkëpunuar me administratorin e “Net Group”, Valter Begaj, në mënyrë që të krijonin një bashkim operatorësh ekonomikë për pjesëmarrje në tender.

Berberi, sipas dosjes, i ka shitur Begajt për 1.7 milionë euro aksionet e kompanisë “DAAM”, të cilat i kishte blerë më parë për vetëm 800 euro, duke ngritur dyshime për marrëdhënie të dyfishta biznesi.

Dokumente të falsifikuara dhe kritere të manipuluara

Përfaqësuesi i “Hill International”, shtetasi grek Ioannis Kirkinezis, ka pranuar para prokurorëve të SPAK se kompania ka përdorur dokumente të degëve të tjera ndërkombëtare të “Hill International”, për të plotësuar kushtet e tenderit – në kundërshtim me ligjin.

Por përse Belinda Balluku dhe Vis Berberi përdorin ende BlackBerry?

Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që komunikimet për tenderët, marrëveshjet dhe lëvizjet e brendshme të jenë kryer përmes kanaleve të mbyllura të këtij telefoni, i njohur për enkriptimin e fortë të mesazheve. Një detaj i vogël teknologjik, që mund të shndërrohet në pisten më të nxehtë të hetimit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.